Rabiot shpërthen ndaj arbitrave: “Pranojini gabimet, nëse gënjeni i bëni dëm futbollit italian”
Mesfushori i Milanit, Adrien Rabiot, ka reaguar ashpër pas polemikave për gjykimin në ndeshjen Genoa-Milan, duke vënë në shënjestër vendimet e arbitrit Davide Massa dhe komentet e ish-arbitrit Gianpaolo Calvarese.
Edhe pse Milani fitoi me rezultatin 2-1 në transfertë, Rabiot nuk e fshehu pakënaqësinë për një episod të ndodhur në minutën e 50-të, kur mbrojtësi i Genoas, Alessandro Marcandalli, e ndaloi me faull gjatë një kundërsulmi.
Futbollisti francez kërkoi karton të kuq për kundërshtarin, duke pretenduar se i ishte mohuar një rast i pastër shënimi. Megjithatë, arbitri Massa vendosi të ndëshkonte Marcandallin vetëm me karton të verdhë. Edhe vetë Rabiot u ndëshkua me të verdhë për protesta.
Përplasja me ish-arbitrin Calvarese
Polemika u zhvendos më pas në rrjetet sociale, pasi ish-arbitri Gianpaolo Calvarese publikoi analizën e tij për episodin, duke mbështetur vendimin e Massës.
Sipas Calvarese, për të konsideruar një rast si mohim të një mundësie të qartë shënimi, duhet të vlerësohen katër elemente: kontrolli i topit, drejtimi i aksionit, numri i mbrojtësve dhe distanca nga porta.
Ai argumentoi se distanca prej rreth 60-65 metrash nga porta dhe pozicioni i aksionit e bënin të mbrojtshëm vendimin për karton të verdhë.
Rabiot nuk u pajtua aspak me këtë interpretim dhe iu përgjigj drejtpërdrejt në rrjetet sociale.
Mesazhi i fortë i Rabiot
“Në jetë, ashtu si në futboll, mund të bëhen gabime, por të paktën duhet të dish t’i pranosh. Të gënjesh vazhdimisht nuk do t’ju çojë përpara. Dhe është futbolli italian ai që i vuan pasojat. Mendohuni”, shkroi mesfushori francez.
Reagimi i tij ka ndezur më tej debatin mbi standardin e arbitrimit në Serie A dhe mënyrën se si interpretohen episodet e diskutueshme.
Pavarësisht fitores së Milanit, episodi me Marcandallin dhe reagimi i Rabiot kanë mbetur në qendër të vëmendjes së mediave sportive italiane.


