Sport

Radja Nainggolan përballet me dy vite burg, akuzohet për pastrim parash në Belgjikë

Futbollisti belg Radja Nainggolan është paraqitur para Gjykatës Penale në Bruksel, ku po përballet me akuza për pastrim parash në kuadër të një hetimi për trafik ndërkombëtar kokaine. Prokuroria belge ka kërkuar ndaj tij dy vite burg dhe një gjobë prej 105 mijë eurosh.

Sipas akuzës, ish-mesfushori i Romës dhe Interit ka marrë 105.500 euro në cash nga Nasr-Eddine Sekkaki, vëllai i një personi të njohur në botën e krimit në Belgjikë. Më pas, këto para janë kthyer në disa këste në llogarinë bankare të nënës së tij. Prokuroria pretendon se paratë kishin origjinë kriminale dhe se Nainggolan ishte në dijeni të kësaj.

Futbollisti ka mohuar se ka vepruar me qëllim të paligjshëm. Ai ka deklaruar se bëhej fjalë për një hua private, të cilën e kishte marrë për shkak të vështirësive financiare dhe bllokimit të llogarive të tij bankare në Itali pas divorcit.

Avokatët e Nainggolan kanë kërkuar pafajësinë e tij, duke kundërshtuar pretendimet e prokurorisë. Ndërkohë, është e rëndësishme të theksohet se futbollisti nuk akuzohet për trafik droge apo për anëtarësim në organizatë kriminale, por vetëm për pastrim të dyshuar parash.

Vendimi përfundimtar i gjykatës ende nuk është shpallur.