Rama intervistë për “Channel 4”: Absurde ideja se mund të ecim para me një projekt që nuk përputhet me standardet evropiane
Kryeministri Edi Rama ka realizuar një intervistë për median “Channel 4”, ku ka folur për Zvërnecin dhe protestat e fundit në vend.
Rama e konsideroi absurd mendimin se Shqipëria mund të ecë para me një projekt që nuk përputhet me standardet evropiane.
Ndër të tjera kryeministri u shpreh se projekti nuk synon ta shkatërrojë Zvërnecin, por ta rigjenerojë.
Janë përfshirë arkitektë të nivelit më të lartë dhe projektues peizazhi të njohur për punën e tyre në zonat ligatinore. Në të njëjtën kohë ne po bëjmë në mënyrë të pavarur vlerësimin e ndikimit në mjedis. Pra, projekti nuk synon ta shkatërrojë atë vend të bukur. Synon ta rigjenerojë.
Është shumë mirë që Komisioni është i shqetësuar. Nuk mund të jetë ndryshe. Dhe, meqë ra fjala, ne po negociojmë për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Europian. Prandaj vetë ideja se ne mund të ecim përpara me një projekt, apo me çfarëdo projekti, që nuk përputhet me standardet evropiane është absurde.
Unë po them vetëm këtë për këtë projekt, qetësohuni, flisni me fakte, komentoni faktet dhe shikoni faktet. Mos u emociononi tepër duke thënë se gjithçka është katastrofike. Kushdo që e bën punën e tij me pasion e përjeton personalisht. Por nuk jam i lënduar. Madje kjo më ka ndihmuar”, tha ai.
Ndër të tjera, Rama foli edhe për protestat, teksa i konsideroi një pasqyrë për atë që duhet të reflektojnë.
“Për mua protestat e qershorit, jo kjo e tanishmja, kanë qenë njëkohësisht një konfirmim se vendi ka arritur në një nivel tjetër dhe, nga ana tjetër, një pasqyrë shumë e qartë për të parë se mbi çfarë duhet të reflektojmë”, u shpreh Rama.

