Rama në Athinë takohet me Mitsotakis!
Kryeministri Edi Rama ka takuar në Athinë homologun e tij grek, Kyriakos Mitsotakis.
Me anë të një postimi në Facebook, kreu i qeverisë shqiptare thotë se me kreun e qeverisë greke i lidh një miqësi e posaçme.
Rama e përshkruan rrugën mes dy vendeve të vështirë, por që ka pasur komunikime dhe respekt “pa darashka”, siç thotë ai.
Kreu i qeverisë thekson se po punojnë për kapërcimin përfundimtar të të gjitha çështjeve të mbartura mes dy shteteve, për të dalë nga ky vit me një marrëveshje të re partneriteti strategjik.
“Me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, na lidh një miqësi e posaçme e farkëtuar në rrugën e përbashkët të ambicies për të modernizuar vendet tona dhe për t’i ngritur marrëdhëniet shqiptaro-greke në një nivel të ri. Përgjatë kësaj rruge jo vetëm momentet më të mira, po edhe ato më të vështirat janë karakterizuar gjithnjë nga komunikimi plot respekt e pa dorashka, ndërkohë që po punojmë për kapërcimin përfundimtar të të gjitha çështjeve të mbartura mes dy shteteve, për të dalë nga ky vit me një marrëveshje të re partneriteti strategjik”, shkruan Rama.
Kujtojmë që Rama ndodhet në Greqi me ftesë të Forumit Ekonomik të Delphit, një platformë ndërkombëtare e nivelit të lartë, e cila çdo vit bën bashkë liderë politikë, përfaqësues të biznesit, akademikë dhe ekspertë nga e gjithë bota për të diskutuar sfidat kryesore globale, për të nxitur dialogun ndërkombëtar, për të shkëmbyer ide dhe për të kontribuar në hartimin e politikave që promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe bashkëpunimin rajonal e global.



