Rama sulmon protestuesit nga Thethi: Sharlatanë, delirantë dhe ekstremistë, që kundërshtojnë investimet e huaja
Kryeministri Edi Rama sulmoi nga Thethi protestuesit që prej 52 ditësh mblidhen çdo ditë para Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e tij dhe largimin e kastës së vjetër politike.
Gjatë një bashkëbisedimi me banorët e zonës, kreu i qeverisë i akuzoi protestuesit se po kundërshtojnë investimet e huaja dhe i cilësoi me terma si “sharlatanë”, “delirantë” dhe “ekstremistë”.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të banorëve për Paketën e Maleve dhe ndërhyrjet ndaj ndërtimeve pa leje në Theth, Rama tha se zhvillimi ekonomik vjen përmes investimeve dhe solli si shembull projektin për ndërtimin e rrugës së Dukagjinit.
“Nga vijnë fondet? Fondet vijnë nga investimet. Edhe shtetet më demokratike bëjnë garë për të sjellë më shumë investime të huaja.
Në Shqipëri dalin lloj-lloj sharlatanësh, delirantësh e ekstremistësh dhe thonë nuk duam investime të huaja, nuk duam të huaj në Shqipëri. Kujt po ia shesim Shqipërinë?”, deklaroi Rama, duke përmendur edhe investimet e Katarit si shembull.
Kryeministri tha se qeveria do të nisë ndërtimin e rrugës së Dukagjinit, ndërsa theksoi se dikur zona përballej me mungesë infrastrukture, energjie elektrike dhe furnizimi me ujë.
Në të njëjtin takim, Rama sqaroi edhe Paketën e Maleve, duke theksuar se ajo nuk është hartuar për të favorizuar oligarkët, por për t’u dhënë zgjidhje çështjeve të pronësisë trashëgimtarëve në zonat malore.
“Paketa e Maleve nuk është për uzurpatorë, as për oligarkë. Ajo synon të vërë në lëvizje ekonominë e trashëgimtarëve të pronave dhe t’u japë mundësi zhvillimi zonave ku turizmi është alternativa kryesore,” u shpreh ai.

