Aktualitet

Sarandë/ Shkeli perimetrin e sigurisë, 530 mijë lekë gjobë për shkelësin dhe bllokim i mjetit lundrues

Hyri me motor uji në zonën e pushuesve, gjobitet me 530 mijë lekë dhe i bllokohet mjeti në Sarandë

Policia Kufitare ka bllokuar një motor uji në Sarandë dhe ka vendosur një gjobë prej 530 mijë lekësh ndaj poseduesit të tij, pas disa shkeljeve të konstatuara gjatë kontrolleve në vijën bregdetare.

Gjatë patrullimeve, shërbimet e Policisë vunë re se mjeti lundrues ishte futur brenda perimetrit të sigurisë, në zonën ku po laheshin pushuesit.

Sipas verifikimeve të kryera, mjeti nuk ishte regjistruar brenda afateve të përcaktuara nga ligji dhe në bord mungonte dokumentacioni i detyrueshëm.

Pas përfundimit të procedurave administrative, motori i ujit u shoqërua dhe u bllokua në portin e Sarandës, ndërsa ndaj poseduesit u vendosën masa administrative me vlerë totale 530 mijë lekë të rinj.

Policia Kufitare njofton se kontrollet dhe patrullimet do të vijojnë përgjatë gjithë sezonit turistik për të garantuar sigurinë e pushuesve dhe respektimin e rregullave të lundrimit.

Autoritetet u bëjnë thirrje përdoruesve të mjeteve lundruese që të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe të shmangin hyrjen në zonat e përcaktuara për pushuesit, pasi shkelje të tilla mund të rrezikojnë jetën dhe sigurinë e personave që frekuentojnë plazhet.