Sërish protestë, kësaj radhe kundër terapisë hormonale nën sloganin “Marshim për jetën”!
Dy thirrje për protesta publike janë shpërndarë së fundmi në rrjetet sociale.
Protesta për Zvërnecin është njoftuar të mbahet më sot, 1 qershor në Sheshin Skënderbej, në orën 18:00, me sloganin “Zëri ynë, e ardhmja jonë”.
Organizatorët deklarojnë se protesta synon të kundërshtojë zhvillimet që, sipas tyre, rrezikojnë mjedisin dhe pasuritë natyrore të zonës së Zvërnecit.
Në materialet promovuese bëhet thirrje për mobilizim qytetar me mesazhin “Mos hesht! Ngre zërin! Mbrojmë Zvërnecin, mbrojmë të ardhmen!”, ndërsa pjesëmarrësit pritet të kërkojnë më shumë transparencë dhe mbrojtje për zonën bregdetare.
Ndërkohë, Koalicioni Shqiptar Pro Familjes & Jetës ka paralajmëruar zhvillimin e “Marshimit për Jetën”, i planifikuar sot, 1 qershor, në orën 18:00, me nisje nga Sheshi Skënderbej dhe marshim drejt Ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas organizatorëve, aktiviteti organizohet në mbështetje të familjes dhe fëmijëve, si dhe për të shprehur kundërshtimin ndaj terapive hormonale transgjinore në sistemin publik shëndetësor.
Në thirrjen publike qytetarët ftohen të marrin pjesë së bashku me familjet e tyre, ndërsa organizatorët e paraqesin marshimin si një nismë sensibilizuese mbi çështje që, sipas tyre, lidhen me shëndetin dhe të ardhmen e brezave të rinj.

