SHBA/ Rregulla të reja për shtetësinë amerikane: Administrata Trump propozon standarde arsimore për naturalizimin
Nga Beqir SINA

Administrata e presidentit Donald Trump po planifikon ndryshime në procesin e naturalizimit. Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) ka përfshirë në axhendën rregullatore një propozim për të vendosur një kornizë dhe standard të qartë arsimor për aplikantët që kërkojnë shtetësinë amerikane.
Sipas DHS, rregulloret aktuale nuk specifikojnë se si duhet të plotësohen kërkesat arsimore.
Aktualisht, një banor i përhershëm (Green Card) mbi 18 vjeç, pasi ka jetuar të paktën pesë vjet në SHBA (ose tre vjet nëse është i martuar me një qytetar(e) amerikan), duhet të kalojë dy teste, një test anglisht që vlerëson aftësinë për të folur, lexuar dhe shkruar, dhe një test qytetarie mbi historinë dhe parimet e qeverisjes amerikane. Nuk ka një kërkesë minimale të formalizuar arsimore.
Me propozimin e ri, USCIS synon të forcojë integritetin e testit të naturalizimit.
Departamenti thekson se ndryshimet do të ndihmojnë “asimilimin e duhur të emigrantëve të ligjshëm” dhe do të nxisin “një identitet të unifikuar amerikan dhe lidhje me Kushtetutën, ligjet dhe parimet themelore të Shteteve të Bashkuara”.
Një element tjetër i propozimit është fleksibiliteti në administrimin e testeve. DHS po konsideron lejimin e administrimit të testit nga palë të treta, jo vetëm gjatë intervistës me zyrtarin e USCIS. Kjo do të jepte më shumë mundësi në mënyrën e zhvillimit të provimeve.
Avokatja e imigracionit Gabriella Walsh thekson se bëhet fjalë vetëm për një propozim. Asnjë ndryshim nuk është zbatuar ende dhe detajet e plota do të bëhen të njohura vetëm pasi të publikohet njoftimi formal i rregullit të propozuar.
Sipas axhendës, ky njoftim pritet të jet në dhjetor 2026.
Propozimi vjen në një kohë kur USCIS ka forcuar tashmë disa aspekte të testit të qytetarisë amerikane dhe kontrollit të karakterit moral. Qindra mijëra aplikantë çdo vit mund të preken nga këto ndryshime nëse ato miratohen.
Megjithatë, Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) thotë se ndryshimet mbeten në fazën e hershme dhe do të kalojnë nëpër procesin e konsultimit publik para se të bëhen përfundimtare.


