Shefja e SHISH-it, Vlora Hyseni mbërrin në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, po i komunikohet akuza (DETAJE)
Vetëdorëzimi i Vlora Hysenit pak orë pasi SPAK lëshoi komunikatë zyrtare përmes së cilës bëri me dije akuzat që rëndojnë ndaj saj, është vënë sot në qendër të vëmendjes së emisioneve të mbrëmjes. Ndërsa bëhet me dije se aktualisht rreth orës 22:00 të mbrëmjes së sotme, Vlora Hyseni ka mbërritur në Tiranë, në Drejtorinë e Policisë, ku dhe po i komunikohen akuzat që rëndojnë ndaj saj.
Vlora Hyseni aktualisht ndodhet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
“Në këto momente që flas burime më thonë se Vlora Hyseni ka mbërritur në Tiranë, ndodhet në Drejtorinë Policore ku dhe po i komunikohet akuza. Nuk përjashtohet mundësia që ish kreu i SHISH t’i ketë vënë në dispozicion automjete Gys Agasit për të lëvizur i lirë në vend” u shpreh gazetari Merin Maçi.
Sakaq, në panelin e mbrëmjes së sotme të “Opinin”ku të pranishëm janë gazetari Artan Hoxham, gazetarja Klodiana Lala, analisti Berat Buzhala dhe gazetari Merin Maçi i cili bëri me dije se shefja e SHISH ka mbërritur në Tiranë.
Gjatë diskutimeve mes njerëzve të medias, u ngritën dyshime se Vlora Hyseni përvecse përkrahu Ergys Agasin, mund të ketë pasur dhe marrëdhënie romantike me këtë të fundit.
Po ashtu, mbrëmjen e sotme Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka dekretuar shkarkimin e Vlora Hysenit nga detyra e Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit. Dekretim i cili vjen pasi kryeministri Edi Rama kërkoi lirimin e saj nga detyra nga përtej oqeanit.
Siç raportuam dhe ditën e sotme, referuar komunikatës zyrtare të SPAK, për Vlora Hysenin janë caktuar masat e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, si person nën hetim për veprat penale të parashikuara nga nenet 302/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal.
Nenet 302/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal bëjnë fjalë për Përkrahje të autorit të krimit, në këtë rast Ergys Agasi, në mënyrë që ai t’i shpëtojë kërkimit, kapjes ose arrestimit, si dhe Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete, dhënia e informacioneve të konsideruara sekret ndaj personave të tretë, sërish në këtë rast Ergys Agasi.
Vlora Hyseni akuzohet për këto dy vepra penale dhe ndaj saj janë caktuar dy masat e sigurisë të mësipërme.


