Shembet “beach bar”-i prej druri në Shën Jan të Karaburunit/ Njëri prej ndërtuesve arrestohet, ortaku kërkohet nga Policia (EMRAT)
Një ndërtim pa leje në zonën e Shën Janit në Karaburun është shembur pasditen e sotme, ndërsa operacioni ka çuar në pranga një prej personave që dyshohet se po ndërtonte objektin. Ortaku i tij është shpallur në kërkim.
Operacioni për prishjen e objektit, një “beach bar” prej druri, u zhvillua nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), në prani të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skender Hita, dhe Kryeinspektorit të IKMT-së, Afrim Qendro.
Sipas policisë, objekti po ndërtohej nga Olsen Sherifaj dhe Skerdi Dinaj, të cilët ishin proceduar më herët për të njëjtën çështje dhe kishin kaluar afatin e përcaktuar për prishjen vullnetare të ndërtimit.
Gjatë ndërhyrjes u arrestua Skerdi Dinaj, ndërsa Olsen Sherifaj u shpall në kërkim dhe vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Pas aksionit, autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të mos kryejnë ndërtime pa leje, ndërsa hetimet në Vlorë vijojnë për të identifikuar edhe persona të tjerë që mund të kenë përgjegjësi për lejimin apo miratimin e ndërtimeve në kundërshtim me ligjin.


