Aktualitet

“10 vatra zjarri aktive në vend” – Ministria e Mbrojtjes: 2 helikopterë për shuarjen e flakëve në Priskë të Madhe

Ministria e Mbrojtjes ka publikuar përditësimin e fundit mbi situatën e zjarreve në vend, duke bërë me dije se gjatë 11 orëve të fundit vijojnë të jenë aktive 10 vatra zjarri.

Sipas njoftimit, në operacionet për shuarjen e tyre janë angazhuar 531 forca operacionale dhe 29 mjete, mes tyre 104 efektivë të MZSH-së, 250 efektivë të Forcave të Armatosura, 120 forca bashkiake/ADZM/shërbimi pyjor, 20 efektivë të Policisë së Shtetit, 31 vullnetarë dhe 6 përfaqësues të AKMC-së dhe Emergjencave Civile.

Nga ajri janë angazhuar 5 helikopterë të Forcës Ajrore dhe 2 avionë Air Tractor.

Dajt dhe Priskë e Madhe

Në Dajt po vijon puna me 22 forca të MZSH-së dhe ADZM-së, të mbështetura nga dy helikopterë të Forcës Ajrore. Ndërkohë, në Priskë të Madhe po operojnë 15 efektivë me katër automjete zjarrfikëse dhe mbështetjen e dy helikopterëve.

Në të dyja zonat nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Patos

Në Drenie, në bashkinë Patos, operacioni vijon nga toka me forcat zjarrfikëse dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur edhe nga një autoambulancë ushtarake.

Krujë

Në Krujë vijon angazhimi në disa vatra zjarri.

Në Abaze po operojnë forcat tokësore, 57 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në lagjen Bojë, njëra vatër po trajtohet nga toka, ndërsa për vatrën në terren të vështirë është angazhuar një helikopter i Forcave të Armatosura. Pranë banesave janë pozicionuar edhe tre automjete zjarrfikëse.

Në Krastë–Halil vijon puna për shuarjen e flakëve, ndërsa aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Përmet

Në Nëmerçkë dhe Dhëmbel, në bashkinë Përmet, vijon puna në terren të vështirë malor. Në të dyja zonat nuk raportohet rrezik për banesat.

Dibër

Në Gurë-Lurë, në bashkinë Dibër, vijon një nga operacionet më të rëndësishme. Në terren janë angazhuar forca të MZSH-së, Policisë së Shtetit, strukturave bashkiake, ADZM-së, shërbimit pyjor dhe vullnetarëve, si dhe AKMC-ja, 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy avionë Air Tractor.

Forcat janë pozicionuar pranë banesave që mund të rrezikohen nga përhapja e zjarrit.

Devoll

Në malin e Moravës, në bashkinë Devoll, vijon puna e forcave operacionale në zonën e mbrojtur me pyll pishe. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

AKMC po ndjek në mënyrë të vazhdueshme situatën në të gjithë territorin, në koordinim me strukturat qendrore dhe vendore të sistemit të mbrojtjes civile. Strukturat po vlerësojnë në kohë reale zhvillimin e vatrave dhe nevojën për përforcimin e kapaciteteve tokësore dhe ajrore.

Angazhimi i forcave do të vijojë deri në vënien nën kontroll dhe shuarjen e plotë të çdo vatre aktive.