Aktualitet

Shifrat e grabitjes, në 2013 shqiptarët paguanin 3 miliardë taksa për 2.8 milionë banorë, sot paguajnë 9 miliardë me 2.4 milionë banorë

Shqiptarët duket se janë më të varfër se kurrë, përballem çdo ditë me një barrë fiskale të papërballueshme që vjen nga shifrat e frikshme të atij që quhet “përthithje buxhetore”. Sipas një analize financiare të kryer nga eksperti i ekonomisë, Panajot Sako, barra e taksave mbi qytetarët ka pësuar një rritje galopante përgjatë dekadës së fundit. Në vitin 2013, buxheti i shtetit mblidhte rreth 3 miliardë euro nga taksat e 2.8 milionë banorëve që jetonin në vend. Sot, të dhënat zyrtare tregojnë se të ardhurat nga taksat kanë arritur në 9 miliardë euro, ndërkohë që popullsia është pakësuar në 2.4 milionë banorë.

Ky krahasim shifrash nxjerr në pah një realitet ku qytetarët paguajnë pothuajse tri herë më shumë taksa për frymë se më parë. Eksperti Sako godet qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama përmes një video të publikuar në rrjetet sociale, ndërsa thekson se kjo rritje e papërballueshme e grumbullimit të taksave nuk është shoqëruar me një përmirësim proporcional të shërbimeve publike. Në vitin 2013, një qytetar shqiptar paguante mesatarisht 1.100 euro taksa në vit për të financuar shtetin. Sot, e njëjta ngarkesë fiskale për çdo qytetar, nga foshnjat deri te mosha e tretë, kap shifrën mesatare prej 3.700 eurosh në vit.

Kjo diferencë e madhe tregon se si barra ekonomike është zhvendosur tërësisht mbi xhepat e familjeve të thjeshta. Në analizën e tij, Panajot Sako nënvizon se rritja e të ardhurave në buxhet nuk ka ardhur si rezultat i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Përkundrazi, kjo shifër rekord vjen nga inflacioni i lartë dhe shtrenjtimi i drejtpërdrejtë i çmimeve të konsumit bazë.

Edhe pse të ardhurat nominale mund të duken më të larta, fuqia blerëse e qytetarëve është zvogëluar ndjeshëm. Qytetarët vazhdojnë të marrin të njëjtat shërbime në shëndetësi, arsim e infrastrukturë, por duke paguar disa herë më shtrenjtë. Kjo skemë, sipas ekspertit, ka thelluar pabarazinë sociale dhe po çon drejt varfërimit të mëtejshëm të popullsisë. Më poshtë po pasqyrojmë analizën e plotë të z. Soko.

REAGIMI I EKSPERTIT TË EKONOMISË PANAJOT SOKO

Analiza e Kosto-jetesës dhe barrës fiskale

“Sa më shumë të dëgjoj ty, aq më shumë e kuptoj që ti je totalisht i shkëputur nga realiteti i këtij vendi, nga realiteti i këtij populli dhe ke ndërtuar një Shqipëri imagjinare në mendjen tënde që nuk ka pikën e lidhjes me këtë Shqipëri ku jetojmë ne, qytetarët e këtij vendi që zgjohemi përditë e paguajmë taksa. Ata që ke përreth të kanë ndihmuar të ndërtosh një Shqipëri imagjinare që nuk ka lidhje me këtë realitet. Tani, që ta kuptosh, o shok: kur erdhe ti në pushtet, një kafe kushtonte 300 lekë.

Sot, 300 lekë kushton vetëm TVSH-ja e kafes, se kafja kushton 1.500, 1.600, 1.700 lekë. Kur erdhe ti në pushtet, o shok, me 50.000 lekë shkoje në supermarket, mbushje karrocën plot dhe haje për një javë. Sot me 50.000 lekë në javë unë nuk paguaj dot TVSH-në e ushqimeve të një jave, sepse ushqimet e një jave më shkojnë 300.000 lekë sot. Që ta kuptosh, o shok, ti nuk mund të vish e të më vendosësh standard krahasimor me një shtet si ai që ishte para teje, i cili mblidhte 3 miliardë euro nga taksat, ndërsa ti sot mbledh 9 miliardë euro nga taksat. Nuk mund ta krahasosh veten me atë. Një qytetar i asaj kohe, nga 2.8 milionë banorët që kishte Shqipëria, paguante mesatarisht 1.100 euro taksa në vit.Mesatarisht; kishte nga ata që paguanin 500 euro, kishte nga ata që paguanin 4.000 euro, por mesatarisht paguanin 1.100 euro. Sot, një qytetar nga 2.4 milionë banorët e këtij vendi, nga zero deri në 100 vjeç, paguan mesatarisht 3.700 euro taksa në vit. 9 miliardë euro kemi buxhetin total, 2.4 milionë jemi ne — mesatarisht na bie 3.700 euro. Ka nga ata që paguajnë 10.000 euro, ka nga ata që paguajnë 1.000 euro, por mesatarisht na bie 3.700 euro.

E pra, ti s’mund të më vish e të më krahasosh shtetin tënd që merr 3.700 euro kokë më kokë nga qytetarët e këtij vendi çdo vit — kokë më kokë, se mospagim taksash nuk ka më në këtë vend sepse shkon në burg — e të më krahasosh mua me një shtet që mblidhte 1.000 euro nga qytetarët e tij! Ne paguajmë 3.7 herë më shumë dhe kemi të njëjtin shtet, o shok.

Kemi të njëjtin shtet sepse kemi të njëjtat spitale, kemi të njëjtin sistem arsimor, kemi po të njëjtat rrugë. I njëjti shtet që e paguajmë 3.7 herë më shumë! E ke dëgjuar shprehjen që thonë njerëzit: edhe pse marrim më shumë lekë sot, prapë jemi më të varfër? Ky është thelbi i sistemit që ti ke ngritur. Shiko çfarë ndodh sot: pavarësisht se njerëzit marrin më shumë lekë, pavarësisht se nominalisht po, janë rritur pagat, prapë njerëzit janë më të varfër. Pse? Sepse është një sistem që ke inspiruar ti me veprimet e tua.

Modeli ekonomik i abuzimit dhe nevoja për ndryshim

Dhe po ta shpjegoj pse, për ta marrë shembullin krahasimor: u rrit çmimi i naftës në bursë dhe u rritën të ardhurat e tua te xhepi i shtetit. Ti, kur njerëzit thanë: ‘Po shiko, hidhi pak sytë nga ne, na i ul pak taksat e naftës’, ti the: ‘S’më duhet fare, paguani!’ Pse? Sepse mundeshe. Nuk e vrave mendjen për njerëzit, sepse mundeshe dhe i morre ato lekë më tepër. Nuk të prishi punë fare për njerëzit, zero! I morre e i bëre tenderë ato lekë e kështu me radhë. Çfarë do të bësh? Pse? Sepse mundeshe.

Shiko çfarë ndodh: pavarësisht se njerëzit sot marrin më shumë të ardhura, punojnë më shumë, marrin më shumë të ardhura nominalisht, përsëri ata nuk arrijnë dot të jenë në të njëjtin standard mirëqenieje që kanë qenë përpara, kur merrnin më pak lekë. Pse? Sepse ky rrethi yt i mbyllur, këta njerëzit duke filluar që nga grosistët e mëdhenj të mallrave të konsumit ushqimor, e me radhë — të gjithë këta me radhë çfarë kanë bërë? Të gjithë këtë rritje ua marrin njerëzve jo duke u dhënë më shumë produkte — ku marr më shumë lekë e do të konsumoj më shumë produkte — jo! Por duke u rritur çmimin e atyre produkteve që ata tashmë konsumojnë, duke i bërë më të shtrenjta ato produkte dhe të gjithë të ardhurën shtesë që marrin nga puna e tyre ua marrin pa u dhënë asnjë gjë mbrapsht. Pse? Sepse munden! Sepse është modeli që ti ke inspiruar.Ti je shteti, për herë të parë në historinë 30–35 vjeçare të këtij vendi post-komunist, që vendos trau për të paguar lekë për kalimin në një rrugë që është ndërtuar me lekët e shtetit. Populli paguan lekë për të kaluar në një rrugë që është ndërtuar me lekët e popullit, si te Rruga e Kombit. Pse? Pse e bën ti këtë? Sepse mundesh! E po kur të sheh ty biznesi e oligarkët, po pse mos ta bëjnë edhe ata? Shiko çfarë bëjnë kompanitë e telefonisë: një kartë apo regjistrim numri që deri dje kushtonte 1.000 lekë, sot për të hapur një numër të ri duhet të paguash 27.000 lekë. Pse, mos i janë rritur kostot? Jo.

A ishin të pakënaqur me fitimin që merrnin deri dje? Jo, fitimi ishte spektakolar. Po pse e bëjnë këtë? Sepse munden! Sepse është modeli që ti ke inspiruar nga lart. Kur ti i fut dorën popullit tënd te rruga që e bën me pagesë apo te çmimi i naftës që nuk ta ndien fare, po pse mos t’ia fusin edhe ata? Këtë bëjnë kompanitë e telefonisë, këtë bëjnë bankat. Tarifat e bankave, pse, s’po u del plani i biznesit? Nuk po u funksionon modeli financiar? Jo, mo jo! Të gjitha funksionojnë, fitimet janë të gjitha të larta.

Po sepse munden të fitojnë më tepër. Spekulojnë, rritin çmimet dhe kështu e gjithë ajo e ardhur shtesë që njerëzit krijojnë u hahet atyre, madje edhe më tepër, duke u dhënë të njëjtat produkte që kanë marrë deri dje. Dhe njerëzit thonë: ‘Po prit o vëlla, unë marr më shumë lekë dhe konsumoj më pak se ç’konsumoja dje!’ Pse? Sepse të gjithë kanë arritur t’ua rritin çmimin e t’ua vjedhin atë të ardhur që ata kanë krijuar. Pse? Sepse ky është modeli që ti ke inspiruar.

Të thashë që në fillim, shiko çfarë ndodhi: ra euro. Nuk po i futem analizës pse ra euro. Në vitin 2013, çmimet e Shqipërisë ishin sa 60% e mesatares së çmimeve të Bashkimit Evropian. Sot, çmimet e Shqipërisë janë sa 102% e çmimeve mesatare të Bashkimit Evropian, ndërkohë që ne na ka rënë euro me 35%. Dhe nëse u referohemi të dhënave, atëherë ne kemi qenë 40% më poshtë. U ul euro 35%, që shkoi nga 140 në 95, duhet të ishim 75% më poshtë se çmimet e Bashkimit Evropian. Jo! Ne jemi në 102%, jemi dy pikë përqindje më lart se çmimet mesatare të Bashkimit Evropian! Dhe të gjithë këtë 77% e kanë marrë këta të rrethit tënd të mbyllur, ata që i quajmë ne oligarkë. Pse? Sepse munden! Ata na e blejnë euron ne me 95 lekë dhe na e shesin mbrapsht me 150 lekë nëpërmjet produktit, sepse tek ai produkt marrin çmimin e shtuar.

Për shkak se ne na rriten të ardhurat, ai i fut të gjithë diferencën e euros brenda te çmimi, çmimi shkon kudo lart dhe ne, pavarësisht se na ka rënë euro e na janë rritur të ardhurat, prapë jemi varfëruar më shumë. Nuk blejmë dot as atë produkt që blinim më përpara, sepse aq shumë është rritur çmimi. Pse e bëjnë këtë? Sepse munden! Sepse ky është modeli që ti ke inspiruar dhe ky është thelbi i kësaj proteste. Po ti nuk e kupton.Ti vjen këtu me ku e di unë çfarë empatie… Empatia është e fundit! Çirret padrejtësia! Padrejtësia është mundësia për të abuzuar me ligj me këtë popull, mundësia për të abuzuar me pushtet duke pasur nga mbrapa vetes pushtetin. Kjo është ajo që i nxjerr njerëzit në rrugë dhe prandaj njerëzit kërkojnë që ti të ikësh. Sepse ti nuk e zhbën dot këtë, o shok! Ti je njeriu që e ndërtove, e inxhinierove të gjithë këtë godinë të madhe padrejtësie. Nuk e zhbën dot! Të hapim një faqe të re, o shok.

Duhet të ikësh ti, duhet të vijë një model i ri, dikush tjetër, një model komplet i ri! Të hapë një faqe të re, ta bëjë zero këtë që është sot dhe të fillojmë prapë nga e para. Sepse pabarazia, siç njihet në terma shkencorë, është ajo që vret pushtetet. Dhe në këtë nivel, në këtë moment që flasim, niveli i pabarazisë në Shqipëri e ka tejkaluar atë masën kritike për të rrëzuar pushtetin.

Prandaj njerëzit janë në rrugë. Është bërë e jashtëzakonshme! Është bërë i jashtëzakonshëm ai grupi i njerëzve që janë te rrethi yt e ti bashkë me ta, sepse ti je ai që i inspiron me modelin që jep. Po i pini gjakun këtij populli! Pra, e keni ngrënë punën, mundin dhe jetën e këtij populli. Po ia hani, po ia grabisni! Prandaj duhet të ikni!”, thotë eksperti i ekonomisë, Panajot Soko në një video të sh[përndarë në rrjetet sociale.