Aktualitet

Shqipëria nën hijen e krimit të organizuar dhe korrupsionit!

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka publikuar vlerësimin më të fundit për sigurinë në Shqipëri, ku evidentohen shqetësime për ndikimin e vazhdueshëm të krimit të organizuar, korrupsionit dhe dobësive institucionale. Në Njoftimin e Udhëtimit, Shqipëria mban nivelin “C”, që sipas DASH sinjalizon praninë e krimit të dhunshëm dhe aktivitetit të organizuar kriminal, si dhe kufizime në kapacitetet e autoriteteve vendase për t’iu përgjigjur rasteve të rënda.

Raporti thekson se krimi i organizuar vazhdon të ketë ndikim të madh në vend, me organizata kriminale të përfshira në trafik droge, pastrim parash, ryshfet, zhvatje, trafikim të qenieve njerëzore dhe prostitucion. DASH nënvizon gjithashtu se një pjesë e armëve dhe eksplozivëve të paligjshëm që qarkullojnë në Evropë kanë origjinë ose kalojnë tranzit përmes Shqipërisë. Autoritetet shqiptare, sipas raportit, kanë rritur përpjekjet për goditjen e rrjeteve të trafikimit të armëve dhe bashkëpunimin me agjencitë ndërkombëtare.

DASH ka vlerësuar edhe kërcënimet e mundshme nga terrorizmi, protestat dhe paqëndrueshmëria politike. Tirana klasifikohet me nivel kërcënimi “mesatar” për terrorizëm, ndërsa rreziku për dhunë politike konsiderohet “i ulët”. Raporti nënvizon se protestat në Shqipëri janë të zakonshme dhe, edhe pse përgjithësisht paqësore, në raste të caktuara mund të shoqërohen me incidente të dhunshme. Për zgjedhjet e vitit 2025, DASH vlerëson se procesi ishte kryesisht i qetë, por përmend shqetësime për përdorimin e burimeve publike, financimin e fushatave dhe mungesën e balancës në mbulimin mediatik.