Aktualitet

Skandali: Gjendet helm për minj në ushqimin e fëmijëve të kompanisë HiPP në disa vende të BE

Policia austriake njoftoi se gjeti helm për minj në një kavanoz me ushqim për fëmijë HiPP. The Guardian shkruan se produkti u tërhoq nga më shumë se 1,000 supermarkete Spar në vend për shkak të shqetësimeve për sigurinë.

Policia e Burgenlandit tha në një deklaratë se një mostër nga një kavanoz 190 gramësh me karota dhe patate, e cila u raportua nga një konsumator, u gjet se përmbante helm për minjtë.

HiPP kishte deklaruar se mundësia e futjes së një substance të rrezikshme në produkt nuk mund të përjashtohet dhe se kavanozat me karota dhe patate mund të jenë manipuluar.
Konsumimi i këtij ushqimi mund të jetë kërcënues për jetën, paralajmëroi kompania.

Sipas policisë, produktet e prekura kanë një afishe me një rreth të kuq në fund të kavanozit. Nëse kapaku është i hapur ose i dëmtuar apo nuk ka vulën mbrojtëse mund të ketë një erë të pazakontë.

Autoritetet thanë gjithashtu se testet fillestare laboratorike në kavanoza të ngjashëm të sekuestruar në Republikën Çeke dhe Sllovaki treguan praninë e një substance toksike, por pa dhënë detaje të mëtejshme.

Policia vuri në dukje se autoritetet austriake ishin paralajmëruar për rrezikun pas hetimeve të kryera në Gjermani.

HiPP deklaroi se “sipas të dhënave të deritanishme, kjo situatë kritike lidhet me një ndërhyrje kriminale të jashtme që përfshin rrjetin e shpërndarjes Spar në Austri”.

Një zëdhënës i Spar i tha Reuters se tërheqja e produkteve ishte një masë paraprake dhe preku 1,500 dyqane në Austri, pa prekur dyqanet në vendet e tjera.

Spar dhe HiPP u bënë thirrje konsumatorëve të mos konsumojnë produktet e blera nga dyqanet Spar në Austri, duke sqaruar se do të ofrohet një rimbursim i plotë.

Policia u këshilloi konsumatorëve të lajnë duart mirë nëse bien në kontakt me kavanozat.