Politikë

Sot në Kuvend qeveria kalon në fshehtësi huanë 600 MILIONË € nga SHBA

Arsyeja e vërtetë pse mblidhet sot Kuvendi është një hua e majme dhe konfidenciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndonëse seanca u thirr zyrtarisht gjoja për ndryshime në komisione, qeveria ka kaluar me procedurë të përshpejtuar projektligjin për një marrëveshje financimi ushtarak përmes programit amerikan FMF.

Bëhet fjalë për një paketë strategjike me vlerë rreth 600 milionë euro, sipas burimeve jozyrtare të siguruara nga vendimi i firmosur nga kryeministri Edi Rama dhe ministri i Financave, Petrit Malaj.

Për shkak të natyrës së ndjeshme, dokumentacioni dhe relacioni teknik po mbahen sekret dhe do të kalojnë për shqyrtim urgjent vetëm në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, ku deputetët duhet të zotërojnë certifikatë sigurie.

Projektligji pritet të kalojë me ritme të shpejta në parlament dhe do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.