SPAK prangos SHISH! Sekretet në duart e krimit. BKH shoqëron Vlora Hysenin
Sekretet e shtetit ‘llokum në gojë’ për krimin, arrestohet kreu i SHISH, Vlora Hyseni, kontrolle në shtëpinë e Prodës
Si u shemb kështjella e kreut të SHIS. Hetimet zbardhin akuzat që sollën rrëzimin e sigurisë kombëtare: Kreu i SHISH dyshohet për “Përkrahjen e autorit të krimit” dhe “Zbulimin e akteve ose të dhënave sekrete”, në dosjen e AKSHI-t
Arrestohet në Morinë Vlora Hyseni, BKH e shoqëron drejt Tiranës
Drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, është ndaluar pak momente më parë në pikën kufitare të Morinës. Lajmin e bëjnë të ditur burime të medias së Kosovës, “Kanal10“.Sipas këtyre burimeve, Hyseni ka qëndruar gjatë ditës në Kosovë dhe më pas është dorëzuar te autoritetet shqiptare në Morinë, ku edhe është ndaluar. Në Vërmicë, drejtuesja e SHISH u është dorëzuar autoriteteve shqiptare, ndërsa në procedurë janë përfshirë edhe agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Agjentët e BKH e kanë marrë në shoqërim Hysenin ku ju komunikua masa e sigurisë “arrest shtëpie”.
Shqipëria regjistron skandalin më të rëndë në historinë e shtetit sa i përket cenimit të sigurisë kombëtare. Dosja e AKSHI çon në arrest drejtuesen e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni. SPAK ka lëshuar urdhër arresti, teksa Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë masën arrest shtëpie për kreun e SHISH-it, mbi të cilin rëndojnë dy akuza. Zbulimi i akteve ose i të dhënave sekrete është një nga akuzat që SPAK i ka atribuar Hysenit, e cila mban mbi supe edhe një tjetër vepër penale, siç është pengimi për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës, të cilat kanë sjellë edhe pezullimin e saj nga detyra.
Këto dy akuza vijnë në kuadër të hetimeve që SPAK po kryen për dosjen e AKSHI-t. Por, teksa është prerë fleta e arrestit dhe është dhënë masa e sigurisë arrest shtëpie, ajo nuk është ekzekutuar këtë të martë për shkak se Hyseni nuk ndodhet në Shqipëri. Ndërkohë, SPAK dhe BKH kanë ushtruar kontrolle në banesën e Hysenit. Burime nga SPAK bëjnë të ditur se ky operacion lidhet me dosjen e Ergys Agasit. Dyshimet janë se drejtuesja e SHISH-it, Vlora Hyseni, i ka dhënë Ergys Agasit informacione shtetërore dhe konfidenciale, të cilat dyshohet se janë përdorur nga ai që cilësohet si koordinatori i grupeve kriminale.
Lidhjet e zeza të Prodës
Gjithashtu, SPAK ka urdhëruar kontrolle ndaj ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Mësohet se Ilir Prodës i është sekuestruar aparati i telefonit, një laptop dhe disa USB dhe CD. Ky i fundit gjithashtu është paraqitur mëngjesin e kësaj të marte në SPAK. Për rreth 1 orë, ish-kreu i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, është marrë në pyetje nga prokurorët e dosjes së AKSHI-t dhe më pas është larguar nga godina e prokurorisë. Teksa është futur në banesën e tij, ku BKH kishte ushtruar kontrolle të imtësishme.
Masa të tjera
Veç Vlora Hysenit dhe Ilir Prodës, janë zbatuar edhe dy masa të tjera sigurie për përfaqësues të Policisë së Shtetit, një në Durrës dhe një në Tiranë. Sipas një njoftimi për shtyp të SPAK, janë arrestuar Fatjon Kalluci, me detyrë “Përgjegjës Sektori” në Institutin e Policisë Shkencore, dhe Emrbo Sulejmani, punonjës i shoqërisë “Agroturizëm Kodra e Kuajve” në Durrës. Kalluci akuzohet për zbulim të akteve ose të dhënave sekrete, ndërsa Sulejmani me akuzën e pengimit të ekzekutimit të vendimeve të gjykatës.
Por, në kuadër të aksionit të kësaj të marte, 22 shtator, në Durrës zbarkuan forca të shumta të RENEA-s, që rrethuan një banesë në zonën e Shkozetit. Forca të policisë, por edhe ato speciale, për gati 60 minuta kanë rrethuar zonën e Shkozetit dhe kanë zhvilluar kontrolle në disa banesa dhe te vilat qeveritare po në Durrës. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lejuar kontrollin e kompleksit të vilave që ndodhen në adresën: kryqëzimi i rrugës “Durrësi në Shekuj” dhe rrugës “Bajram Tusha”, në zonën e Shkozetit, Durrës. Gjithashtu, janë sekuestruar edhe pamje filmike të kamerave të sigurisë në atë zonë.
Gjatë kësaj të marte, Gjykata e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në masë arresti në burg Ergys Agasin dhe Uljan Shpatarakun, të cilët kishin apeluar vendimin e shkallës së parë.
Alarm sigurie për NATO-n nga Tirana, Shefja që drejtoi inteligjencën civile të Aleancës nën “arrest shtëpie” për sekretet e shtetit
Vlora Hyseni drejtoi gjatë vitit 2025 Komitetin e Inteligjencës Civile të NATO-s dhe u ul në të njëjtën tryezë me krerët e shërbimeve të 32 vendeve aleate. Sot ajo u pezullua nga drejtimi i SHISH dhe u vendos në “arrest shtëpie”, ndërsa dosja prek nxjerrjen e informacionit sekret dhe Ergys Agasin, i hetuar nga SPAK për grup të strukturuar kriminal, tendera, korrupsion dhe pastrim parash. Tashmë pyetja duhet të mbërrijë deri në Bruksel: çfarë informacioni kaloi nëpër duart e Hysenit, çfarë është ekspozuar dhe sa i sigurt ka qenë kanali shqiptar i inteligjencës së NATO-s?Më 19 nëntor 2025, Vlora Hyseni ishte në selinë e NATO-s në Bruksel, duke drejtuar Komitetin e Inteligjencës Civile të Aleancës përballë krerëve të shërbimeve të 32 vendeve anëtare. Mark Rutte u fliste atë ditë drejtuesve të inteligjencës për Rusinë, Kinën, Iranin, Korenë e Veriut, luftën në Ukrainë dhe rolin kritik të informacionit sekret në planet e mbrojtjes së Aleancës, ndërsa tavolina e inteligjencës civile drejtohej nga shefja shqiptare e SHISH. NATO e përcakton CIC si organin e vetëm që trajton çështjet e inteligjencës civile të Aleancës dhe që raporton drejtpërdrejt te Këshilli i Atlantikut të Veriut.Dhjetë muaj më vonë, Hyseni është pezulluar nga drejtimi i SHISH dhe ndodhet nën masën “arrest shtëpie”, ndërsa procedimi që ka mbërritur deri në majën e shërbimit sekret lidhet me nxjerrjen e informacionit dhe me Ergys Agasin. Prandaj dosja Vlora Hyseni kërkon më shumë sesa një hetim për të përcaktuar çfarë informacioni iu transmetua Ergys Agasit. Ajo kërkon një vlerësim të plotë të dëmit të mundshëm, duke rindërtuar çdo nivel aksesi që drejtuesja e SHISH kishte gjatë periudhës së hetuar, sistemet ku ka hyrë, dokumentet që ka administruar, komunikimet me partnerët dhe materialet me origjinë nga strukturat aleate.
Ambasada amerikane mesazh për sigurinë, pasi u shpall në kërkim drejtuesja e SHISH
Në të njëjtën ditë kur drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, u vendos nën masën e “arrestit në shtëpi” dhe kur u kryen kontrolle në shtëpinë e ish-kreut të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ambasada amerikane në Tiranë publikoi një mesazh për bashkëpunimin shqiptaro-amerikan në luftën kundër krimit të organizuar.Postimi i Ambasadës lidhej me Sesionin e 42-të të Trajnimit të Vazhdueshëm të Kapitullit Europian të FBI National Academy Associates (FBINAA), që po zhvillohet në Tiranë nga 19 deri më 23 shtator. Që në ditën e parë të aktivitetit ra në sy mungesa e Vlora Hysenit, ndërkohë që aty ishin të ftuar drejtori i policise, Skënder Hita, prokurori i përgjithshëm Olsi Çela, drejtuesi i SPAK, Klodian Braho etj.
“Kur Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria qëndrojnë së bashku, komunitetet tona janë më të sigurta”, nis mesazhi i ambasadës amerikane, duke duke vazhduar se FBINAA bashkon drejtues të lartë të strukturave ligjzbatuese, të trajnuar në Akademinë Kombëtare të FBI-së, për shkëmbimin e ekspertizës dhe forcimin e bashkëpunimit kundër krimit të organizuar.
Pasi përshëndet konferencën që u zhvilluar në Tiranë, ambasada amerikane e përfundon mesazhin me fjalët:“Qëllimi ynë është i qartë: zbatim më i fortë i ligjit, siguri më e madhe dhe komunitete më të sigurta në Shtetet e Bashkuara dhe në Shqipëri”.
REL: Kurti e shkarkoi nga AKI, Rama e solli në krye të SHISH-it!Vlora Hyseni nën arrest shtëpie
Vlora Hyseni është veçanërisht e njohur në Kosovë, pasi para se të merrte drejtimin e SHISH-it në Shqipëri, kishte mbajtur një pozitë të lartë në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).Ajo ishte zëvendësdrejtoreshë e AKI-së nga viti 2019 deri në qershor të vitit 2021, kur u shkarkua nga detyra nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.Hyseni kishte punuar për disa vite në AKI, fillimisht si drejtoreshë e Marrëdhënieve me Jashtë dhe më pas si zëvendësdrejtoreshë.Në njoftimin e Qeverisë së Kosovës për shkarkimin e saj, më 30 qershor 2021, nuk u dhanë hollësi për arsyet e vendimit. Në atë kohë, Qeveria tha se vendimi ishte mbështetur në ligjin për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.Në komunikatë përmendej fakti se “zbulimi ose mosruajtja e informacioneve të klasifikuara paraqet vepër penale të dënueshme sipas Kodit Penal të Kosovës dhe legjislacionin tjetër përkatës në fuqi që ka të bëjë me informacionin e klasifikuar”.Në vitin 2023, Hyseni u emërua në krye të SHISH-it në Shqipëri.
Berisha: Vlora Hyseni u bëri presion gjyqtarëve të Kushtetueses në çështjen e Belinda Ballukut
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas masës së sigurisë “arrest në shtëpi” të vendosur nga GJKKO ndaj drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, në kuadër të hetimeve të SPAK për dosjen e AKSHI-t. Hyseni është pezulluar gjithashtu nga detyra.Berisha riktheu në vëmendje denoncimet e tij të mëparshme ndaj Hysenit, duke shtuar se ajo kishte ushtruar presion ndaj gjyqtarëve kushtetues në lidhje me çështjen Balluku.“Vlora Hyseni famëzeza u mor në mënyrë me akte me presione ndaj gjyqtarëve kushtetues në rastin e vendimit Balluku, e denoncova që në atë kohë. Ajo ka patur të dhëna shumë të rëndësishme, qytetarë digjitalë, thoni po bëhet një kombinim i dy shërbimeve Tiranë-Beograd kundër protestuesve të rinj”, deklaroi Berisha.Ai rikujtoi gjithashtu një denoncim të mëparshëm, ku kishte ngritur pretendime për marrëdhëniet mes Hysenit dhe Ergys Agasit.“Miqësia e drejtorëshës së SHIK-ut me Agasin është denoncuar në mënyrë të përsëritur nga kjo platformë. Kemi paralajmëruar se shtrirja e kontrollit dhe influencës së tij mbi Shërbimin Informativ Kombëtar nëpërmjet miqësisë që kishte me Hysenin, e njohur tashmë si agjente e përbashkët e Ramës dhe e Vuçiçit”, kishte deklaruar më herët Berisha.Ky grup i strukturuar kriminal kontrollonte çdo të dhënë që ekzistonte në internet në territorin e Republikës së Shqipërisë, çdo personi, subjekti. Këto i ka dhënë te armiqtë e NATO-s. Kjo aferë është tashmë lehtësisht e hetueshme”,- tha Berisha.
Rama liron nga detyra kreun e SHISH: Kemi zgjedhur rrugën e pavarësisë së drejtësisë
Kryeministri Edi Rama reagoi pas masës së dhënë “arrest shtëpie” nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ndaj drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.“Për shkak të orareve të ndryshme ky reagim nga Nju Jorku, ku jam për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, mund të duket i vonuar dhe ndjesë për këtë.
Jam informuar lidhur me masën e arrestit shtëpiak që SPAK-u ka nxjerrë për drejtoren e Shërbimit Informativ të Shtetit, e pres që çdo dyshim i organit të akuzës të hetohet dhe zbardhet deri në fund përmes procesit të pavarur gjyqësor”, shkruan Rama. Rama shprehet se, “përtej respektit për punën dhe për personin e Vlora Hysenit, si edhe po ashtu përtej vlerësimeve të vazhdueshme, që ajo ka marrë nga agjencitë partnere si drejtuese e shërbimit inteligjent shqiptar, rruga pa kthim që kemi zgjedhur është rruga e pavarësisë së organeve të drejtësisë për të hetuar e gjykuar këdoqoftë, pavarësisht statusit social apo funksionit publik”. Kryeministri thekson se, “lirimi nga detyra i drejtores së shërbimit është i menjëhershëm, e sapo të kthehem në Tiranë dhe në konsultim me Presidentin e Republikës, do të zgjedhim drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit”.


