Aktualitet

“Super e Marta” drejt integrimit nuk ishte meritë as përparim apo vlerësim, por tallje përballë një proteste madhështore

Marash Gilaj

Iku edhe “super e marta” si shumë data të tjera, kur flitej për hapjen e negociatave. Që atëherë kanë kaluar shumë vite, por kujtojmë se thuhej që do të hapeshin në praverë, herë në verë apo në vjeshtë dhe kjo përsëritej nder vite pa sukses. Kështu do të ndodh edhe këtë herë. Arsyet janë të shumta dhe mosplotësimi i kushteve e kërkesave, që shtohen herëpashere nga BE – ja, e bën edhe më të vështirë integrimin tonë në BE. Sepse boll keni fluturuar me presh, me satelit, me Diellën ministre, duke bërë “rrush e kumbulla” taksat e një populli të varfër. Skandalet që s’kanë të sosur na kanë turpëruar e djallosur në sy të Europës dhe botës. Boll e keni tundur “pasaportën europiane”, kur, në radhë të parë, nuk mund të bëni zgjedhje të lira, të ndershme e të barabarta. Këtë e vërteton pohimi i kryeministrit që pat thënë në studjon e TV Klanit se do të rrinte në pushtet aq sa t’i dojë menderja, pasi asnjë vendim që merr qeveria nuk është e bazuar në ligje as në Kushtetutë. Këtë e bazon tek pagabueshmëria e tij, si njeriu që di gjithçka, e bazon tek mafia, tek patronazhistët, tek drejtësia e kapur, që e ka përdorur kundër opozitës për interest e veta apo tek paaftësia për të korrigjuar vetëveten? Me pushtet të personalizuar, me nepotizëm, idiotllëk dhe korrupsion, me këtë qeverisje rrumpallë, ju turpëroni të vdekur e të gjallë. Nuk qeveriset me urdhëra , por me ligje. Integrimi duket vërtetë si iluzion, sepse fatin e të ndershmit, të diturit dhe të drejtit e përcakton hajduti e krimineli, pasi ata kanë bërë para të madhe dhe bëjnë të fortin dhe ligjin me lejen tuaj. Ju keni arritur në atë derexhe sa nuk dalloni emigrimin nga shpopullimi, sa edhe krimet i quani normale, pasi edhe shtetet tjera paskan krime, por harroni se ato mbajnë qëndrim tjetër ndaj tyre. Ky është banaliteti i së keqes. Ende nuk e keni kuptuar se, tashmë, jeni një qeverisje e plakur, se jo të gjithë ata që i hipin kalit janë kalorës. Ky përjashtim ndodh edhe me ju. Për ty, pushteti paska qënë për të sunduar e pasuruar. Latinët kishin një fjalë të urtë që thotë se “kush nuk turpërohet nga fajet që ka bërë, e dyfishon mëkatin”. Dhe për ta përforcuar këtë ide na vjen në ndihmë edhe Viktor Hygo, i cili nënvizon se: “Mjeti më i mirë kundër ligjit është paturpësia”. Dihet se ai që nuk njeh gabimet e fajet nuk mund të korrigjohet. Atdheun po e trajtoni si plaçkë dhe si pronën tuaj. Keni humbur kontaktin me realitetin. Mafia shqiptare ka pushtuar botën dhe ky është eksporti kryesor që bëni si qeveri.

 

 

Gjithë kjo marrëzi kolektive nuk njeh kufi.
U bënë, thuajse, dy muaj që rinia dhe populli është zgjuar, po proteston fuqishëm dhe kërkon ndryshim në qeverisje, kërkon një Shqipëri të re e demokratike. Me të drejtë, protestuesit po ju thonë se Atdheu nuk është në shitje. Protesta e Flamingove është zëmrimi popullor, është rinia qe po ju mallkon, sepse kurrë nuk keni pranuar asnjë faj në më shumë se 13 vite. Ju i akuzoni ata se janë të nxitur nga Irani, greku apo rusi etj. Me të njëjtën mendësi të paraardhësve tuaj që i kërkonin shkaqet e keqqeverisjes së tyre herë tek armiku i brëndshëm e herë tek i jashtmi. Mendo për një çast se rinia është dritë, është e ardhmja e vendit, por ti e urren atë sepse nuk ke të ardhme për vete. Protestuesit duan që fëmijët e tyre të rriten , të shkollohen dhe të punojnë në atdheun e tyre dhe të mos marrin rruget e botës.
Ata që e duan vendin e tyre, që punojnë me përkushtim për mirëqënien e tij thonë se nuk ka vende të varfëra, por ka sisteme të dështuara nga menaxhimi i keq i burimeve, siç thoshte Naom Chomsky. Secili e di mirë se vendi ynë është i pasuur dhe i begatë në burime tokësore e nëntokësore, por jetojmë në varfëri, ku më të diskriminuarit janë pensionistët, të cilët i mëshironi me thërrime. Ata nuk duan lëmoshë as bonuse. Duan të jetojnë me dinjitet. Mesatarja e një pensioni në Europën e Bashkuar, ku aspirojmë t’i bashkohemi është 1294 euro. Ne jemi 10 herë më poshtë, edhe pse çmimet i kemi si ata ose dhe më lart në disa zëra. Këtu mungon edhe minimum jetik. Ka shumë spekullime me çmimet, qiratë dhe taksat.
Na premtove se do të bëje shtet, por instalove pushtetin e njëshit dhe u ngrite mbi ligjin. Nuk e njeh kulturën e dorëheqjes as të rrotacionit, edhe pse noton në skandale e paligjshmëri. Burrat e urtë e dinë se kur duhet të largohen nga pushteti. Shteti nuk ndertohet me llaç e tulla. Kësaj i thonë të mbrosh interest e kriminelëve. Ju vuani nga deliri i vetëpëlqimit. Dhe na flisni për integrim!?
Ish presidenti i parë i SHBA-së, George Washington, kur mbaroi mandatin e dytë, iu luten të kandidonte edhe për nje mandate të tretë pasi kishte mundur një mbret. Por ai e kishte përgjigjen gati dhe tha: “Nuk e munda një mbret që të bëhem vetë mbret”. Ai pat mundur Mbretin e Anglisë, George i tretë. Me këtë kuptojmë se qëndrimi i gjatë në pushtet të shëndërron në mbret, por ky pashai ynë nuk i di këto ose i pëlqen të jetë i tillë.
Vërtetë ju jetoni në “Kopshtin e Edenit”, në kullën e fildishtë të arrogancës apo Kalanë e Surrelit, por harroni se sa më shumë pasuroheni ju si pushtetarë aq më shumë varfërohen njerëzit e thjeshtë të këtij vendi. Është e kuptueshme se në një vend si yni, ku preferohen më së shumti gënjeshtarët dhe hajdutët, nuk ka nevojë për zanate të tjera. Edhe po pati mungesa në këto dy profesione, ju i trajnoni ata shumë shpejt. Ndaj është budallallëk të mësosh mjeshtëri të tjera. Fatkeqësi është që injoroni faktin se pas çdo karriere të pamerituar fshihet një maskarallëk i madh. Të gjitha këto dhe të tjera që do të them më poshtë ju i kaloni me tra – la – la duke aktruar e simuluar. Për habinë e të gjithëve, të diturve dhe të paditurve, ekonomia rritet çdo vit, por mirëqënia e popullit zvogëlohet. A di kush t’i japin dum kësaj myseleje? Dhe pas këtij “përparimi” nuk mungojnë duartrokitjet as lavdërimet apo vetëlavdërimet. Kjo ndodh sepse i padituri lavdëron të paditurin, siç na mëson urtësia. Ka një besnikëri të verbër të atyre që ju aprovojnë dhe ju ndjekin pas dhe duket si idolatry ndaj jush. Zylot dhe Demkët që përshkruante dikur i ndjeri D. Agolli janë me shumicë në zyrat e shtetit. Prandaj kemi një Shqipëri të pasur dhe popullin e saj të varfër. Një Shqipëri që shitet pjesë – pjesë, falet ose jepet me qira për t’i zgjatur jetën sunduesit. Janë pikërisht të vetëquajturit rilindas që vranë shpresat dhe ëndrrat e një populli të tërë. Përpara na prin varrëmihësi i kombit, me të cilin nuk ka integrim, sepse Shqipëria po shuhet nga shpopullimi, nga lindjet e pakta dhe plakja e popullsisë. Një popull pa rini, pa demokraci dhe pa drejtësi nuk ka të ardhme. Ka veç varfëri dhe ju zgjatet jeta ju si qeveri antikombëtare.
Ky popull ha ushqime të pakontrolluara e të helmuara, të cilat i shkurtojnë jetën. Ajri është larg me standarded që kërkohen, sidomos në qytete, ku mungon gjelbërimi, sepse në vend të tij ngrihen kulla, pastrohen paratë e krimit dhe kërcënohet jeta e qytetarëve. Me politikat qorre arsimi ka degraduar, është ulur cilësia dhe sasia. E ashtuquajtura reformë, që përkthehet në shktërrim, ka dështuar. Po kështu ka ndodhur me shëndetsinë. S’ka mjek, s’ka ilaçe dhe shumë aparatura nuk punojnë. Kur more pushtetin premtove se ajo do të ishte falas. Sa shumë premtime të pambajtura dhe sa shumë borxhe që i ke këtij populli!
Ju, me demek, bëtë reformë kudo, por dështuat në arsim, në drejtësi dhe tek reforma territoriale. Tani jeni bërë qesharak dhe i pabesueshëm, sepse arsimin e shkatërruat në sasi e cilësi, drejtësinë e kapët për fyti dhe nuk e lejoni të bëjë drejtësi. Me këto qëndrime skandaloze ju po mbroni korrupsionin dhe të korruptuarit. Kështu i jepni liri krimit. Shembullin më të mirë e keni me Ballukun, me Xhaçkën etj. Për rrjedhojë, këtu mungon edhe meritokracia, siguria dhe mundësitë e barabarta për të ndertuar të ardhmen në këtë vend. Kur njeriu mendon se patëm shembur diktaturën dhe kaluam në demokraci, por kjo e fundit paraqitet nën maskë dhe si e tillë është diktatura më e rrezikshme.
Dhe na thoni se për 3 – 4 vjet i bashkohemi Europës!? Sigurisht keni parasysh “arritjet, përparimet”, të cilave edhe Europa u bën Marshalla. Janë ato që përmenda më lart dhe ca të tjera që do t’i them më poshtë. Thuhet nga organizmat nderkombëtare se bazuar tek arritjet në mjedisin tonë dhe infrastrukturën na duhet edhe 100 vjet për të arritur nivelin e BE – së. Këtu hyjnë edhe rrugët e hekurudhat. Për mënyrën e qeverisjes na duhen e dhe 64 vite. Pensionit i kemi sa 1/10 e BE -së. Na duhen edhe 53 vite per të arritur atje ku duam të shkojmë. Fjalët që dëgjojmë nga Marta Kos për përparimet që paskemi bërë na duken si tallje dhe përralla me mbret. Aty nuk ka asgjë të vërtetë. As diplomaci nuk mund ta quash. Nga kontrolli i shtetit del se gjatë keqqeverisjes socialiste ekonomia ka pësuar një dëm mbi 10 miliardë euro. Administrata është fryrë e rënduar si barrë mbi kurrizin e taksapaguesve duke u dyfishuar e trefishuar, nëse llogarisim edhe patronazhistët. Kudo sheh toka të lëna djerr dhe një blegtori që tkurret nga politikat e mbrapshta që ndjek partia – shtet. Ju si qeveri keni arritur deri atje sa të vidhni edhe fondet që jep BE – ja për bujqësinë. Është folur shumë për inceneratoret që s’ekzistojnë dhe gllabërojnë miliona euro, për 2 Hecet e Vlorës, që nuk punojnë por ne i paguajmë shtrënjtë për çdo ditë. Nuk duhen harruar rrugët e florinjta, që shkatërrohen fill pas inaugurimeve nga cilësia e dobët, papërgjegjësia dhe mungesa e kontrolleve. Humbje të tjera tek Air Albania që shkon deri në 105 milion euro. Shqetësim i madh për çdo shqiptar të ndershëm është menaxhimi i plazheve, duke i kthyer në private apo “Paketa e maleve” si plaçkitje e pronës së tjetrit për t’ia dhënë me të zotit dhe jo të zotit të tokës. Dhe vazhdoni të flisni për integrim dhe pasaporta eurpiane!?
Në gjithçka e kudo mungon transparenca, llogaridhënia. Të gjitha janë zëvëndsuar me propagandë e protagonizëm të dala boje. Ende flasim e kemi problem ujin e pishëm, për të cilin qeveriu na ka premtuar 4 herë në çdo fillim mandati. Na mungojnë punëtorët dhe specialistët. Çdo investim është i maskuar me një mashtrim. Jemi projekt i Sorosit, megjithëse të vetëquajturit rilindas po hanë vetveten, bazuar në ligjin e xhunglës. Të gjitha sa thamë janë meritë e gjithologut që na sundon. Uroj të jenë ditët e fundit me këtë lloj shqeverisje dhe për ta mbyllur them se rruga drejt BE duket e largët. Nikolla Makiaveli, për të pagabueshmin tonë, do të thoshte: “Vërtetë ai di gjithçka, por sa keq që nuk di gjë tjetër veç kësaj”.

22 korrik 2026