Tallje dhe ironi/ Ish-punonjësit e Call Center-ave mashtrues “shpërthejnë” në komente ndaj atyre që vijojnë punën
Pas operacionit të fundit të policisë ndaj një call centeri, ku u arrestuan disa persona dhe u sekuestruan qindra mijëra euro, reagimet në rrjet nuk kanë munguar. Por ajo që bie në sy janë komentet e ish-punonjësve të këtyre strukturave, të cilët jo vetëm konfirmojnë mënyrën e funksionimit, por edhe ironizojnë hapur ata që vijojnë ende të punojnë aty.Në komentet e publikuara, disa prej tyre tregojnë se aktiviteti ka qenë i njohur si mashtrim, pavarësisht se u prezantohej si “punë e ligjshme”. Një prej komentuesve shprehet se kishte punuar vite më parë në një prej këtyre zyrave, ku paga ishte rreth 600 euro, ndërsa sipas tij fitimet reale nga mashtrimet arrinin deri në 40 mijë euro në muaj.Të tjerë shtojnë se skema ishte e njëjtë kudo: punonjësit ndiqnin të njëjtin “skenar” për të bindur klientët dhe për t’u marrë para, ndërsa përfitimet e mëdha shkonin kryesisht për drejtuesit. Sipas tyre, punonjësit shpesh mbeteshin pa pagesa ose përballeshin me presion, ndërsa puna zhvillohej edhe nga shtëpia.Ironia nuk mungon as për situatën pas ndërhyrjes së policisë. Në një tjetër koment thuhet se paratë e sekuestruara mund të kenë qenë pjesë e pagave të padhëna për punonjësit, duke shtuar se pasojat në fund i vuajnë pikërisht ata që janë në nivelet më të ulëta të skemës.Këto reagime hedhin dritë mbi një realitet të njohur, por pak të pranuar publikisht: funksionimin e call centerave të dyshuar për mashtrim dhe mënyrën se si të rinjtë përfshihen në to. Ndërsa hetimet vijojnë, komentet e ish-punonjësve duket se po ekspozojnë edhe më shumë prapaskenat e këtij aktiviteti.

