Tensione në Këshillin Bashkiak të Bulqizës, gjoricarët kundër grabitjes së tokave
Është shoqëruar me tensione të forta mbledhja e Këshillit Bashkiak të Bulqizës, ku u diskutua dhënia në përdorim e tokave pyjore dhe kullosore për ndërtimin e impianteve fotovoltaike. Banorët e Gjoricës së Poshtme kundërshtuan hapur projektet, duke paralajmëruar pasoja serioze për jetesën e tyre dhe duke refuzuar të largohen nga salla gjatë mbledhjes.
Sipas banorëve, këto iniciativa përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë për kullotat dhe aktivitetet bujqësore, nga të cilat varen ekonomikisht shumë familje të zonës. Ata theksuan se humbja e sipërfaqeve të përbashkëta do të sillte pasoja të rënda sociale dhe ekonomike, ndërsa akuzuan institucionet vendore për mungesë konsultimi paraprak me komunitetin.
Bashkia Bulqizë me kryetare Festime Mjeshtri, ka dhënë mbi 100 hektarë tokë për projekte energjetike dhe pritet që ky proces të vijojë edhe me sipërfaqe të tjera. Në këtë kontekst, projekti për parkun fotovoltaik në Gjoricë, i miratuar në vitin 2024 për rreth 42 hektarë tokë, është shoqëruar me debate politike dhe akuza për mungesë transparence, pas transferimit të pronësisë tek kompania e biznesmenit Marin Gjonaj, broker energjie dhe i afërt me ish- zv/kreyministren dhe ish- ministren e Infrastrukturës dhe Energjitikës Belinda Ballukun dhe kryebashkiaken e Bulqizës Festime Mjeshtrin. Banorët shprehin shqetësime për përvetësim të tokave dhe lidhje të mundshme politike me figura të larta të qeverisjes vendore dhe qendrore, ndërsa paralajmërojnë kundërshti dhe protesta të vazhdueshme në mbrojtje të pronave dhe jetesës së tyre.

