Thirrje: Poliçani Brezave – Sot është dita vendimtare për Poliçanin!
Sot është dita vendimtare për Poliçanin!
Sot zhvillohet protesta paqësore në mbrojtje të identitetit të qytetit tonë dhe të Bashkisë së Poliçanit. Kam dëgjuar shumë zëra që thonë se kjo protestë bëhet vetëm për të mbrojtur vendet e punës. Dua t’u them të gjithë qytetarëve se kjo është shumë më tepër se kaq.
Nëse Bashkia e Poliçanit do të shkrihej, pasojat do t’i ndjenim të gjithë. Nuk është në rrezik vetëm një institucion, por vetë e ardhmja e qytetit tonë. Dobësimi i rolit të Poliçanit si qendër administrative mund të sjellë me kalimin e kohës largimin ose tkurrjen e shërbimeve publike, uljen e investimeve dhe zbehjen e jetës ekonomike të qytetit.
Një nga pasojat më të rënda mund të jetë edhe zhvlerësimi i pronave tona. Kjo nuk është thjesht një frikë apo hamendësim. Pas reformës territoriale të vitit 2014, shumë qytetarë të ish-Bashkisë së Leskovikut kanë treguar se pronat e tyre humbën ndjeshëm vlerën. Një miku im u detyrua të shiste një lokal prej 104 m² për vetëm 13 milionë lekë të vjetra dhe një banesë prej 81 m² për vetëm 7 milionë lekë të vjetra. Ky është një shembull që na bën të reflektojmë seriozisht mbi pasojat që mund të ketë humbja e statusit të një bashkie.
Poliçani nuk është thjesht një pikë në hartë. Është shtëpia jonë, historia jonë dhe e ardhmja e fëmijëve tanë.
Prandaj, sot është koha të lëmë mënjanë mëritë, inatet dhe ndasitë. Le të bashkohemi të gjithë, pa dallim bindjesh politike apo interesash personale, dhe të protestojmë paqësisht për të mbrojtur ekzistencën, dinjitetin dhe të ardhmen e qytetit tonë.
Kur një qytet bëhet bashkë, zëri i tij dëgjohet. Sot nuk mbrojmë vetëm Bashkinë; mbrojmë Poliçanin, shtëpitë tona, pronat tona, historinë tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Sepse nëse sot nuk ngrihemi për qytetin tonë, nesër mund të jetë vonë.


