Opinion

Thoma Gëllçi: Plani për vjedhjen e madhe

Nga kabllogramet që ambasada e shtetit N i dërgonte qeverisë së vet ka rrjedhur ky dokument tepër sekret, të cilin po e publikojmë të plotë.

Lënda: Përgatitjet për një grabitje të përmasave të paprecedenta në kryeqytetin shqiptar.

Sipas informacioneve të siguruara nga burime të besueshme, në Tiranë po përgatitet një operacion grabitjeje i një natyre të pazakontë. Organizatorët janë persona me përvojë të gjatë në veprimtari të ngjashme. Disa prej tyre kanë qenë aktivë për më shumë se tridhjetë vjet me përvojë të madhe në vjedhje të ndryshme.

Operacioni drejtohet nga një person rreth 82 vjeç, i njohur me pseudonimin «Doktori». Megjithëse në një moshë kur shumica e njerëzve merren me nipërit, ai vazhdon të drejtojë personalisht operacione të ndërlikuara. Bashkëpunëtorët e tij e konsiderojnë të pazëvendësueshëm dhe, për këtë arsye, kanë hequr dorë prej kohësh nga përpjekjet për ta zëvendësuar.

Përgatitjet janë përqendruar në një ndërtesë në qendër të Tiranës, që quhet SHQUP, ku zhvillohen mbledhje të vazhdueshme. Janë krijuar grupe operative, janë caktuar përgjegjësit e terrenit dhe janë përgatitur disa variante të planit. Kjo e bën çështjen veçanërisht shqetësuese, sepse organizatorët i njohin mirë si metodat e grabitjes, ashtu edhe institucionet që duhet ta pengojnë atë.

Burimet tona raportojnë se është diskutuar gjerësisht çështja e maskimit. Pjesëmarrësve u është kërkuar të ndryshojnë pamjen e zakonshme, të veshin bluza sportive dhe të përpiqen të duken sa më të rinj.

Është shumë interesante të theksojmë se grabitja po përgatitet me përkrahjen logjistike të pakursyer të autoriteteve shtetërore. Këto të fundit kanë vënë në dispozicion të grabitësve disa kontingjente të pararojës, të quajtur “patronazhistë”. Në shumicën e rasteve ata janë me maska dhe janë ngarkuar me operacione zhurmuese për tërheqjen e vëmendjes.

Sipas planit paraprak, operacioni do të zhvillohet në disa faza. Fillimisht, në vendngjarje do të depërtojnë grupe të vogla, të cilat duhet të përzihen me njerëzit që ndodhen aty. Më pas do të mbërrijnë persona me përvojë, të cilët do të përpiqen të marrin pozicionet kryesore. Në fazën përfundimtare do të shfaqet vetë «Doktori», i shoqëruar nga bashkëpunëtorët më të afërt, për të shpallur përfundimin e suksesshëm të operacionit.

Ajo që i shqetëson më shumë ekspertët tanë është se grabitja synon të kryhet në mes të ditës, përpara mijëra dëshmitarëve dhe në prani të kamerave televizive.

Pas analizimit të të gjitha informacioneve, shërbimet tona kanë arritur të identifikojnë objektin e grabitjes. Nuk bëhet fjalë për bankë, institucion financiar, magazinë shtetërore apo transport parash.

Objektivi është protesta e të rinjve në Tiranë.

Operacioni paraqet një veçori që nuk ndeshet në historinë e krimit të organizuar: grabitësit po përpiqen të vjedhin një protestë, ndër kërkesat kryesore të së cilës është futja e grabitësit në burg.

Për këtë arsye, ambasada rekomandon që operacioni të ndiqet me vëmendje të veçantë.

Informacionet e fundit tregojnë se të rinjtë janë në dijeni të operacionit dhe kanë vendosur të mos e pengojnë domosdoshmërisht. Përkundrazi, po shqyrtojnë mundësinë që t’ia dorëzojnë «Doktorit» drejtimin e protestës, me kusht që ne fillim të zbatojë kërkesën e tyre kryesore, futjen e tij në burg. Nëse kjo ndodh, Tirana do të bëhet qyteti i parë në botë ku policia do të arrestojë një grabitës jo sepse grabitja dështoi, por sepse pati sukses të plotë.