Sport

Tragjedi në boks, ndahet nga jeta në moshën 31-vjeçare sportisti irlandez, tre muaj pas nokautit që e la në koma

Bota e boksit është tronditur nga lajmi i ndarjes nga jeta të boksierit irlandez Lee Reeves, i cili ndërroi jetë në moshën 31-vjeçare, tre muaj pas dëmtimit të rëndë që pësoi gjatë një ndeshjeje në ring.

Reeves u nokautua më 1 gusht 2026, gjatë përballjes me boksierin Gary Cully, në arenën 3Arena në Dublin. Pas goditjeve të marra në raundin e dhjetë, ai humbi ndjenjat dhe u transportua me barelë drejt spitalit.

Boksieri iu nënshtrua një ndërhyrjeje urgjente në tru dhe u vendos në koma të induktuar, ku qëndroi për muaj të tërë. Pavarësisht disa shenjave të përmirësimit, gjendja e tij u komplikua nga një infeksion, të cilin nuk arriti ta përballonte.

Reeves ndërroi jetë të hënën, më 16 nëntor, në Spitalin Universitar të Limerick, i rrethuar nga familjarët e tij.

Gjatë karrierës së tij profesioniste, ai zhvilloi 18 ndeshje, duke regjistruar 16 fitore, 11 prej tyre me nokaut.

Ndarja e tij nga jeta ka shkaktuar trishtim të madh në komunitetin e boksit dhe në qytetin e tij të lindjes, Limerick, ku ishte i njohur edhe për angazhimin në sensibilizimin mbi shëndetin mendor.