U përjashtua nga gara për kreun e PD, Salianji: Akt i padëgjuar në historinë politike, PD nuk është pronë private!
Ish-deputeti Ervin Salianji ka reaguar mbrëmjen e kësaj të enjteje, më 30 prill, pas refuzimit të pranimit të dokumenteve të tij për kandidimin në garën për kryetar të Partisë Demokratike, duke e cilësuar këtë vendim si një akt të paprecedentë në historinë politike të vendit.
Në një postim në rrjetet sociale, Salianji shprehet se ky veprim tregon se PD po trajtohet si pronë personale dhe jo si një aset publik i ndërtuar nga demokratët ndër vite.
Sipas tij, refuzimi i kandidimit është një përpjekje për të penguar garën dhe për të mbrojtur interesa të ngushta brenda partisë.
“Partia Demokratike është pasuri e shqiptarëve. Ajo nuk mund të jetë pronë private. Sot u konsumua një akt i padëgjuar ndonjëherë në historinë politike: refuzimi i pranimit të dokumenteve të kandidimit për kryetar të Partisë Demokratike.
Ky nuk është thjesht një vendim procedural. Është prova më e qartë se Partia Demokratike po trajtohet si pronë personale dhe jo si një aset publik i ndërtuar me sakrificë nga mijëra demokratë. Kur ndalohet gara, nuk mbrohet partia por mbrohen interesat e ngushta të një grupi që vetëm ka frikë: ka frikë nga vota, ka frikë nga drejtësia, ka frikë nga e kaluara.
Unë nuk kam kërkuar privilegje. Kam kërkuar garë. Nuk kam kërkuar emërim. Kam kërkuar votë. Kjo është demokracia dhe vetëm kështu Partia Demokratike mund te rikthehet fituese!
Ky nuk është refuzim ndaj meje, por është refuzim ndaj çdo demokrati që beson se kjo parti duhet të jetë e hapur, konkurruese dhe fituese. Praktikisht është uzurpim i funksioneve! Kjo është një betejë për parim, jo për post. Dhe kjo betejë nuk mbaron sot. Sepse Partia Demokratike është më e madhe se çdo individ që tenton ta mbajë peng”,shkruan Salianji.

