Aktualitet

Universiteti Mesdhetar i akordon titullin “Doctor Honoris Causa” studiuesit të së drejtës Andi Hoxhaj

Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë i akordoi  Dr. Andi Hoxhaj titullin “Doctor Honoris Causa”, gjatë një ceremonie solemne të zhvilluar në kuadër të sesionit hapës të World Jurist Association – Albania 2026. Në ceremoni morën pjesë përfaqësues të universiteteve kryesore shqiptare, institucioneve shtetërore, diplomacisë dhe komunitetit akademik; mes të pranishmëve ishte edhe Kryeministri Edi Rama.

Presidenti i Universitetit Mesdhetar, Akademik Prof. Dr. Anastas Angjeli, vlerësoi në fjalën e tij figurën dhe punën e Dr. Hoxhajt.   “Figura e Dr. Hoxhaj përfaqëson modelin e akademikut modern dhe të angazhuar. Ai ka ndërtuar një profil të konsoliduar ndërkombëtar, duke kontribuar në institucione prestigjioze dhe në debatin global mbi sundimin e ligjit, qeverisjen demokratike dhe proceset integruese evropiane.”, tha ai.  Presidenti Angjeli shtoi më tej se vlerësimi  nuk është vetëm një vlerësim për një individ, por një afirmim i vlerave që përfaqëson Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë  si institucion, duke përfshirë   ekselencën akademike, integritetin dhe ndikimin pozitiv në shoqëri.

NOA

Motivacioni zyrtar i Universitetit për akordimin e titullit rendit kontributet e Dr. Hoxhajt në fushën e së drejtës, mbrojtjen e shtetit të së drejtës dhe të drejtave civile, aktivitetin akademik në Mbretërinë e Bashkuar dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe rolin e tij në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Në dokument thuhet se Dr. Hoxhaj “përfaqëson një partner strategjik dhe një burim frymëzimi” për Universitetin Mesdhetar, në veçanti për avancimin e bashkëpunimit akademik ndërkombëtar.

“Për Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, figura e Dr. Andi Hoxhaj përfaqëson vlerat mbi të cilat ndërtohet universiteti modern: ekselencën akademike, mendimin kritik, integritetin shkencor dhe ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërkombëtar. Dhënia e titullit ‘Doctor Honoris Causa’ është një vlerësim i merituar për kontributin e tij të spikatur në fushën akademike dhe juridike,” u shpreh Rektori i Universitetit Mesdhetar dhe njw nga rekomanduesit e titullit. Ai shtoi se veprimtaria akademike dhe profesionale e Dr. Andi Hoxhaj dëshmon se universiteti dhe kërkimi shkencor kanë rol thelbësor në forcimin e institucioneve demokratike dhe në orientimin e shoqërive drejt standardeve europiane.

Gjatë fjalës së  tij , Dr. Andi Hoxhaj falenderoi organizatorët dhe theksoi sfidat aktuale për sundimin e ligjit në skenën ndërkombëtare. Ai paralajmëroi për presionet e reja që rrezikojnë rendin e bazuar në rregulla dhe theksoi nevojën për përkushtim institucional dhe kulturor.

“Sundimi i ligjit është më shumë se një doktrinë ligjore ose një grup rregullash në një libër statute apo një rresht në kushtetutë apo traktate ndërkombëtare. Ai është një përkushtim ndaj drejtësisë, dinjitetit dhe trajtimit të barabartë para ligjit. Shërben si një mjet mbrojtës që mban pushtetin e llogaridhënshëm. Premtimi që mosmarrëveshjet do të zgjidhen me arsyen — në vend të forcës, dhe themeli mbi të cilin mund të kërkohen dhe mbrohen të drejtat dhe liritë. “Një urë nuk e pyet asnjëherë peshën që mban, as nuk vlerësohet — por kur ajo shembet — papritmas kuptojmë se nuk mund të kalojmë pa të.” Kështu edhe me sundimin e ligjit”, tha Hoxhaj duke shtuar se shpesh i marrim si të mirëqena gjërat   dhe vetëm kur dështon e kuptojmë sa thelbësore janë.

“Shqipëria, e cila, dhjetë vjet nga këtë qershor që po vjen, ndryshoi një të tretën e Kushtetutës së saj për ta bërë sistemin e drejtësisë të paanshëm, më efikas, dhe për të luftuar korrupsionin në nivelin më të lartë. Ato reforma kanë bërë përparim të jashtëzakonshëm, në një masë të madhe, ndryshuan perceptimet që më të fuqishmit nuk janë më mbi ligjin. Dhe institucionet e drejtësisë të sapo riformuara kanë ndërtuar një rekord mbresëlënës në luftën kundër korrupsionit — një arritje që pa dyshim ndihmoi Shqipërinë të jetë seriozisht konkurrente për anëtarësim në BE deri në 2030. Megjithatë, duhet të jemi të sinqertë — a ka përmbushur plotësisht reforma e drejtësisë kontratën shoqërore që premtoi dhjetë vjet më parë? Përgjigjja e thjeshtë është — jo ende”, tha Hoxhaj në fjalën e tij.

Ai shtoi se  Ngarkesa e dosjeve në gjykata është rritur ndjeshëm, dhe akses-i në drejtësi, si dhe e drejta për një gjykim të drejtë, mbeten një shqetësim urgjent. “Si vërejti Nelson Mandela — “T’u mohosh njerëzve të drejtat e tyre njerëzore është të sfidosh vetë njerëzoren e tyre.” Fjalët e tij nënvizojnë që sundimi i ligjit ka të bëjë si me procedurat, ashtu edhe me dinjitetin njerëzor. Këto mangësi nuk do të kurohen vetëm nga një set tjetër reformash. Ne duhet të përqendrohemi në ndryshimin e kulturës — dhe, në veçanti, respektimin e të drejtave të njeriut në procesin gjyqësor. Pra, është e qartë që sundimi i ligjit kërkon më shumë se statute ose një kushtetutë të riformuar. Kërkon qytetarë të gatshëm të qëndrojnë kundër padrejtësive, komunitete që përdorin ligjin për të siguruar të drejtat e njeriut”, tha Hoxhaj