Vjen rinovimi i tretë, Real Madrid blindon Courtois deri në vitin 2028
Real Madrid vijon të sigurojë të ardhmen e lojtarëve të rëndësishëm të skuadrës. Pas rinovimeve me Arda Güler dhe Aurélien Tchouaméni, radha i ka ardhur portierit Thibaut Courtois, i cili ka zgjatur zyrtarisht kontratën me klubin madrilen deri më 30 qershor 2028.
Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi spanjoll, duke i dhënë fund çdo paqartësie për të ardhmen e gardianit belg. Me këtë marrëveshje, Courtois do të vazhdojë të mbrojë portën e Real Madridit edhe për të paktën një sezon tjetër, duke synuar të plotësojë një dekadë në “Santiago Bernabeu”.
34-vjeçari u transferua te madrilenët në vitin 2018 nga Chelsea dhe gjatë qëndrimit të tij ka zhvilluar 348 ndeshje, duke fituar plot 14 trofe. Në koleksionin e tij me fanellën e bardhë spikasin dy trofe të Champions League, tre tituj të La Liga-s, tre Botërorë për Klube, dy Superkupa të Europës, një Kupë Mbreti dhe tre Superkupa të Spanjës.
Courtois konsiderohet një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës, falë paraqitjeve vendimtare dhe pritjeve të tij në ndeshjet më të mëdha.
Ky është rinovimi i tretë i Real Madridit brenda pak ditësh, pas marrëveshjeve me Güler dhe Tchouaméni, ndërsa klubi vazhdon punën për të garantuar vazhdimësinë e projektit sportiv.


