Aktualitet

Vodhën 40 tonë kafe në subjektin ku punonin dhe e shitën duke përfituar 800 mijë Euro, arrestohen 2 magazinierët

Dy persona janë arrestuar dhe një tjetër është marrë nën hetim pasi akuzohen për vjedhjen e 40 mijë kilogramëve kafe, nga subjekti ku ishin të punësuar.

Nga kjo veprimtari kriminale e kryer përgjatë 3 viteve, 3 shtetasit dyshohet se kanë përfituar 800 000 euro, njoftoi policia.

Njoftimi i Policisë

Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Inventari”.

Vodhën 40 000 kg kafe në subjektin ku punonin dhe e shitën, vihen në pranga 2 magazinierë dhe në hetim shpërndarësi.

Nga kjo veprimtari kriminale e kryer përgjatë 3 viteve, 3 shtetasit dyshohet se kanë përfituar 800 000 euro.

Si rezultat i veprimeve operacionale të kryera mbi kallëzimin e administratores së një subjekti në fushën e prodhimit/tregtimit të kafesë, se kishte konstatuar vjedhjen e një sasie të madhe produkti, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin e koduar “Inventari”.

Si rezultat i operacionit:

-u vunë në pranga shtetasit A. K., 35 vjeç dhe V. K., 29 vjeçe, magazinierë në këtë subjekt;

-nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin L. B., 29 vjeç, shpërndarës.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shpërdoruar detyrat, gjatë një periudhe trevjeçare, kanë vjedhur 40 000 kilogramë kafe, nga shitja e së cilës kanë përfituar 800 000 euro.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.