Politikë

Vodhi dokumentin sekret të marrëveshjes, Agron Shehaj përjashtohet 60 ditë nga Kuvendi

Sekretariati i Etikës ka vendosur përjashtimin me 60 ditë të deputetit Agron Shehaj pasi grabiti marrëveshjen konfidenciale me SHBA-në dhe iku me vrap nga Kuvendi. Ndërkohë që këshilltarja që ndoqi nga pas deputetin, u rrëzua nga shkallët dhe pësoi lëndime të rënda. Ndëshkimi do jetë në fuqi nga shtatori.

Sekretariati i Etikës ka shqyrtuar vetëm pjesën për përjashtimin ndërsa sa i takon referimit në SPAK nuk është në kompetencat e këtij organi. Deputeti Ulsi Manja bëri me dije se PS do të referojë në SPAK materialet për Shehajn.

Masa disiplinore erdhi pas kërkesës së Partisë Socialiste, e cila akuzoi Shehajn për incidentin e ndodhur dje në ambientet e Kuvendit gjatë shqyrtimit të marrëveshjes për huanë direkte mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak.

Në kërkesën e PS-së thuhet se Agron Shehaj ka kërkuar të marrë me vete kopjen fizike të dokumentit, por është kundërshtuar nga stafi i Kuvendit. Më tej deputeti e ka marrë dokumentin me forcë dhe është larguar me të.

Po sipas shkresës së depozituar, një këshilltare e Kuvendit, e cila tentoi të rimerrte dokumentin, është rrëzuar në shkallë gjatë ndjekjes së deputetit dhe ka pësuar dëmtime.

“Deputeti Agron Shehaj, me sjelljet e tij të përsëritura të dhunshme dhe agresive, ka vënë në rrezik këshilltaren, e cila është gjendur e pambrojtur përballë kësaj sjelljeje të papranueshme”, thuhej në kërkesën e socialistëve.

Nga ana tjetër, Agron Shehaj ka mohuar akuzat, duke deklaruar se veprimet e tij kishin për qëllim denoncimin e mungesës së transparencës lidhur me dokumentacionin e marrëveshjes dhe shkëljen e Kushtetutës për kalimin me procedurë të përshpejtuar të ligjit.