Politikë

Xhelal Mziu: Qeveria ka braktisur përballimin e zjarreve

Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, u shpreh se qeveria ka dështuar në menaxhimin e situatës së zjarreve dhe se mungesa e një flote ajrore për emergjencat është një dështim i përsëritur prej vitesh.

Mziu hodhi dyshime edhe për zjarrvënie të qëllimshme, ndërsa akuzoi qeverinë se po përdor centralizimin e pushtetit dhe politikat e saj për të përshpejtuar shpopullimin e vendit.

Deputeti demokrat kritikoi gjithashtu përdorimin e fondeve publike, duke e krahasuar atë me mungesën e investimeve për përballimin e emergjencave.

Dhe, në këtë kontekst, nuk mund të fajësojmë pse ka zjarre, por fajësojmë qeverinë përse nuk ndërhyn dhe është absurde që, në këto 14 vite, asgjë nuk ka bërë qeveria. Për shuarjen e zjarreve, jemi i vetmi vend në botë që s’kemi një flotë të mjeteve ajrore për shuarjen e zjarrit, jemi i vetmi vend në botë që, kur bien zjarret, me patjetër që do të digjet gjithë sipërfaqja e tokës që ndodhet.

Dhe çudia ndodh që, në Shqipëri, pothuajse në shumicën e rasteve, ndodh që të kemi zjarre të qëllimshme. Dhe qytetarët e Lurës, një pjesë prej tyre, ankohen se zjarri mund të jetë i qëllimshëm dhe, normalisht, ka filluar që të përdoret, sidomos në këto dy-tre vitet e fundit. Kujtoj që edhe rastet e tjera që kanë ndodhur në Dibër, siç është në Fushë-Qidhën, apo siç ka qenë në Shupenzë, apo në Martanesh, ku janë djegur një pjesë e konsiderueshme e pyjeve për të ndërtuar fotovoltaike apo për pakësimin e maleve.