Zbulohet një tempull i shekullit 4 Para Krishtit në Shkodër
Një tempull i shekujve 4-3 para Krishtit është zbuluar në Shkodër, në një vendbanim në afërsi të Bushatit. Prej vitesh, arkeologë shqiptarë dhe polakë po gërmojnë nën drejtimin e Saimir Shpuzës, duke nxjerrë në dritë struktura në qytetin antik të cilit i referohen me emrin Basania, ndonëse nuk kanë dalë në dritë mbishkrime që vërtetojnë emrin e tij të hershëm.
“Është zbuluar një strukturë që mund t’a identifikojmë me një tempull, në majën e kodrës, strukturë që mund të datohet me shekujt 4-3 para erës sonë. Aty doli edhe një fragment fortifikimi pak me i vonë, me gjasë shek. 2-1 para erës sonë”, tha Saimir Shpuza për Balkanweb.
Qyteti antik që fshihet pas kodrave pranë Bushatit në Shkodër, po nxjerr në dritë çdo vit dëshmi arkeologjike nga shekulli 4 para Krishtit. Një portë e madhe, një sallon pritjesh dhe një tempull kanë dalë në dritë deri tani Bushat, ndërsa arkeologët, janë në kërkim të një qytetërimi mbi 2 mijë vjeçar. Elementet e qytetit të humbur ilir, nisin diku në afërsi të rrugës nacionale ku gjendet porta jugore. Kërkimet e arkeologëve, por “rindërtojnë” në mënyrë imagjinare qytetin e vjetër duke zbuluar çdo vit elemente si Sallone pritjesh, ku bëheshin festa ilire. Zona I qe dhënë Skënderbeut në zotërim nga venecianët në Mesjetë. Qyteti ilir prej 20 hektarësh, në kodrën ku u konfirmua prania e një tempulli, sheh 19 vendbanime të tjerë të periudhave të ndryshme historike.

