Zgjedhjet lokale/ PD do dy ndryshime, opozita kërkon rikthimin e balotazhit dhe lista të hapura për vendoret e 2027-ës
Demokratët kërkojnë rikthimin e balotazhit për zgjedhjen e kryetarëve të Bashkive.
Një model i tillë parashikon që kryebashkiaku të zgjidhet në raundin e parë vetëm nëse siguron mbi 50% të votave të vlefshme.
Në të kundërt, gara kalon në balotazh mes dy kandidatëve më të votuar.
Ky sistem i aplikuar në Shqipëri deri në vitin 2003, përdoret sot edhe në Kosovë.
“Një kryetar bashkie nuk duhet të jetë i forcës politike; duhet të jetë i qytetarëve. Dhe një kryetar bashkie që zgjidhet me një shumicë të thjeshtë relative, me 20-30% apo 30% të votave, sepse votat fragmentohen, nuk përfaqëson shumicën dhe vullnetin e shumicës së qytetarëve që kërkojnë të zgjedhin në hallin e tyre”, deklaroi Oerd Bylykbashi në një intervistë për gazetaren e Top Channel, Elda Menga.
Aktualisht Këshillat Bashkiakë zgjidhen me sistem proporcional me listë të mbyllur, ku mandatet ndahen në raport me votat që merr subjekti politik, por demokratët propozojnë kalimin në lista të hapura, ku qytetari të zgjedhë këshilltarin që dëshiron.
“Unë vetë do të çoj përpara idenë e hapjes së listave 100% për sa u përket këshillave vendorë. Sigurisht që e komplikon procesin e KQZ-së, por rrit demokracinë në raport me mundësinë e zgjedhësve për të votuar”, thekson Bylykbashi.
Socialistët kanë në plan që zgjedhjet e pranverës të mbahen në një territor të ri me 46 Bashki.
Këmbëngulja e mazhorancës për të miratuar hartën e re me forcën e kartonëve në seancën e 8 Tetorit për demokratët është sinjal që edhe reforma zgjedhore do të ketë të njëjtin fat.


