Aktualitet

Zjarr masiv në Gjirokastër, flakët kërcënojnë dy fshatra! Terreni i vështirë pengon ndërhyrjen

Një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë mbrëmjen e kësaj të diele një sipërfaqe pyjore mes fshatrave Andon Poçi dhe Hundëkuq, në qarkun e Gjirokastrës, duke vënë në alarm autoritetet.

Sipas informacioneve paraprake, alarmi është dhënë rreth orës 21:09, ndërsa menjëherë në vendngjarje janë nisur mjetet zjarrfikëse dhe efektivët e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit për të luftuar flakët.

Burime nga terreni bëjnë me dije se zjarri ka dy vatra aktive, të shpërndara në kodra të ndryshme, ndërsa terreni i thyer dhe i vështirë e ka bërë pothuajse të pamundur afrimin e automjeteve zjarrfikëse pranë zonës së përfshirë nga flakët.

Për shkak të përmasave të zjarrit, është angazhuar i gjithë efektivi i shërbimit zjarrfikës, i cili po punon për izolimin e vatrave dhe shmangien e përhapjes së flakëve drejt dy fshatrave.

Deri në këto momente nuk raportohet për banesa të dëmtuara apo persona të lënduar, ndërsa operacioni për neutralizimin e zjarrit vijon.

Shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta dhe pritet të zbardhen pas përfundimit të operacionit dhe hetimeve nga autoritetet.