Zjarri masiv në një pallat në Tiranë, drejtori i Zjarrfikëses: Ja nga dyshohet të kenë ardhur flakët
Drejtori i Zjarrfikëses Tiranë, Shkëlqim Goxhaj, në një deklaratë për media nga vendngjarja, është shprehur se zjarri është izoluar në një seksion dhe po vijon më tej puna për shuarjen e plotë.
Duke u ndalur tek dyshimet e para sa i përket shkaqeve të zjarrit, ende nuk ka një informacion të konfirmuar, por Goxhaj u shpreh se mund të ketë ardhur nga kati i parë i godinës, ku dhe ndodhen bizneset.
“Mendoj se jemi drejt përfundimit të situatës së zjarrit dhe deri më tani nuk kemi informacion apo ankesa nga qytetarët që brenda të kemi qytetarë të dëmtuar. Ju e patë në momentet e para ne u përqendruam në evakuimin e qytetarëve, ku përqendruam dy autoshkallë, një në pjesën perëndimore dhe një në pjesën veriore. Bëmë evakuimin e disa qytetarëve që ishin brenda në objekt.
Për momentin ne kemi izoluar vatrën e zjarrit brenda një seksioni, ndërsa seksionet e tjera nuk rrezikojnë që të preken nga zjarri. Jemi drejt përfundimit të zjarrit.
Nga volumi i zjarrit që shohim, mendoj që zjarri është në katin e parë të objektit, ku ka qenë një biznes dhe pas vendosjes në kontroll të situatës, inspektorët e parandalimit të shërbimit zjarrfikës, në bashkëpunim me oficerët e policisë gjyqësore do bëjnë ekspertizën e nevojshme për të përcaktuar saktësisht vatrën e zjarrit”, tha Goxhaj.
Pallati 12-katësh pranë spitalit “Nënë Tereza”, u përfshi nga flakët pasditen e kësaj të marte.
Drejtori i urgjencës, Skënder Brataj, njoftoi se në spital ndodhen në total gjashtë persona, katër prej të cilëve zjarrfikës.
Këta të fundit dhe një qytetar u transportuan tek toksikologjia, ndërsa një tjetër banore ka rezultuar me rreth 15% djegie.
Të gjithë janë në gjendje të stabilizuar shëndetësore.

