21 Milionë Euro në Xhepat e ARRSH-së: Çfarë hëngri Berberi, po e paguan Kozeli!
Në gjeografinë e mrekullive publike shqiptare, ku rrugët nuk shërbejnë thjesht për të lidhur fshatra e qytete, por për të lidhur buxhetin e shtetit me xhepat e duhur, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka çelur një tjetër kapitull epik. Drejtori i ri, Ami Kozeli, me një elegancë prej artizani të tenderëve, ka vendosur që dështimet e trashëguara të mos mbyllen me lule, por me një “super tender” prej rreth 11 milionë eurosh (konkretisht 1,040,728,000 lekë) për segmentin e famshëm Qafa e Buallit – Martanesh.
Në vitin 2023, ishte vetë Evis Berberi, nën bekimin e ngrohtë të ministres Belinda Balluku e cila dikur e kishte lidhur këtë premtim me nostalgjinë e fëmijërisë dhe punën e babait të saj në minierat e Krastës, ai që hodhi themelet e para të një kontrate 10 milionë euro. Sipas orarit zyrtar, rruga duhet të kishte përfunduar në vjeshtën e vitit 2025. Por, si çdo kryevepër e infrastrukturës sonë kombëtare që sfidon ligjësitë e fizikës dhe të kohës, në terren nuk gjen tjetër veçse një rrugë të pasistemuar, të paasfaltuar dhe një kantier fantazmë, ku koha ka ndalur, ndërsa justifikimet kanë ecur më shpejt se makinat.
Dhe pikërisht këtu nis magjia e satirës institucionale. Për të fshirë gjurmët e pluhurit dhe për të mbuluar “patericat” e dyshes Berberi-Balluku, ku i pari po shijon hetimet nga qelia me masën e sigurisë “arrest në burg” dhe e dyta mban masën “detyrim paraqitjeje” ARRSH-ja e Kozelit ndërhyn me urgjencën e një shpëtimtari. Nuk bëhet fjalë thjesht për të shtruar zhavorr, por për të ndërtuar një jorgan financiar prej 11 milionë eurosh, i mjaftueshëm për të fshehur nën shtresën e re të asfaltit jo vetëm gropat e rrugës, por edhe llogaritë e lëkundura të përgjegjësisë penale. Në fund të fundit, në këtë vend, çdo skandal ka nevojë për një investim të ri që ta mbulojë, sepse vetëm kështu rruga drejt drejtësisë mbetet po aq e pashtruar sa ajo e Martaneshit.
Dhe kështu, saga e asfaltit merr kthesën e saj më surreale, ku aritmetika e tenderëve sfidon çdo llogari logjike dhe ku dokumentet konfirmojnë se shifrat e abuzimit nuk kanë fund. Për të kuptuar se si 10,275,980 eurot (ose 1,086,171,041 lekë) e akorduara në dhjetor të vitit 2023 për bashkimin e operatorëve “BE – IS sh.p.k. & Vëllezërit Hysa & Ergi”, për një afat zbatimi prej 18 muajsh, u tretën diku mes premtimeve dhe harresës, mjafton të shohësh lëvizjet e reja financiare në zyrat e ARRSH-së.
Në atë kohë, ndërsa në garë morën pjesë një mori firmash dhe kompania “Salillari” kishte ofruar rreth 803 milionë lekë (ose rreth 1.4 milionë euro më pak se fituesi), oferta e saj u skualifikua për t’i hapur rrugë bashkimit të operatorëve të përzgjedhur. Sot, me në krye drejtorin e ri Ami Kozeli, ARRSH-ja na sjell një kthesë akoma më surreale: hapjen e një procedure të re për “plotësim punimesh”, me një fond limit prej 1,040,728,000 lekësh, ose saktësisht 11.1 milionë euro.
Ky skandal bëhet edhe më flagrant kur llogarit se fondi i ri për “plotësimin” e të njëjtit segment kalon 100% të fondit limit të parë, duke thyer çdo rekord të abuzimeve të njohura më parë në Unazën e Madhe, Elbasan apo aksin Tiranë–Durrës. E gjithë kjo shfaqet nën sfondin e një drame gjyqësore ku dyshja Berberi-Balluku ndodhet e pandehur i pari me masën “arrest në burg” dhe e dyta me “detyrim paraqitjeje”, pasi Kuvendi rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e saj. Ndërsa kantieri i Qafës së Buallit deri në Martanesh vazhdon të mbetet i prapambetur, i pasistemuar dhe i paasfaltuar, në kundërshtim me afatet që duhet të kishin mbyllur gjithçka që në vjeshtën e vitit 2025, pyetja që mbetet është se sa herë duhet të paguhet e njëjta rrugë, që gropat e saj të fshihen nën jorganin e miliona eurove të reja.


