“Tani jemi më të përgatitur se kurrë” – Rama njofton se Shqipëria ka marrë avionin e parë zjarrfikës
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar në rrjetet sociale nisjen e punës nga avioni i parë zjarrfikës në vend. Kjo forcë e re i bashkohet operacioneve për përballimin e situatës së zjarreve gjatë muajit gusht.
Përmes një videoje të shpërndarë, kreu i qeverisë theksoi se Shqipëria është më e përgatitur se kurrë, ndonëse mbetet e vetëdijshme për rrezikun e përshkallëzimit të flakëve..
“Avioni i parë zjarrfikës ka nisur aktivitetin si forcë e shtuar e këtij gushti sfidues, i cili na gjen më të fortë e të përgatitur se asnjëherë më parë por edhe plotësisht të vetëdijshëm, për largqoftë rrezikun e përshkallëzimeve ekstreme të zjarreve përtej fuqive tona, siç po ndodh në disa vende të mëdha të Europës aktualisht. Respekt dhe mirënjohje për të gjitha forcat tona në terren”, shkroi Rama.
Kujtojmë se më 27 korrik, kreu i qeverisës në një takim me zjarrfikësit dhe strukturat e angazhuara në përballimin e flakëve, në Bazën ajrore të Farkës tha se vendi ynë brenda këtij vitit do të marrë 3 avionë zjarrfikës.
“Kemi mbyllur procedurën për 3 avionë të cilët do të vijojnë në fund të vitit dhe do të jenë në pronësi të shtetit tonë, por kemi një proces të dakordësuar që në një moment nevoje të veçantë kemi në dispozicion edhe avionë që vijnë nga ajo bazë ku po përgatiten dhe do të bëhen gati avionët e ri”, tha Rama.


