Alarmi për kompaninë “One” – Pas rënies së Orbanit në Hungari, oligarku Gellert Jaszai i turret Shqipërisë! Takimet private me Edi Ramën për kontratat e mbrojtjes
Agjencia e lajmeve Reuters e përfshin grupin 4iG, e cila është kompania mëmë e ONE Albania, në listën e 4 kompanive që rrezikojnë të dalin nga tregu pas rotacionit në Hungari.
“Kompanitë e ekspozuara politikisht, si konglomerati i ndërtimit dhe energjisë Opus Global, zhvilluesi i pasurive të paluajtshme Appeninn dhe firma e telekomunikacionit 4iG, kanë përjetuar rënie të ndjeshme të çmimeve të aksioneve, teksa investitorët faktorizuan primet e humbura të kontrollit politik,” shkruan Reuters.
Duke cituar burime nga qeveria, ish-zyrtarë dhe analistë, agjencia ndërkombëtare Reuters shkruan se disa nga këto kompani do të zhduken.
Rënia e Viktor Orban nga pushteti dhe sulmi që kryeministri i ri hungarez Peter Magyar ka nisur ndaj grupit 4iG, si simbol i korrupsionit të qeverisë së shkuar, duket se e ka detyruar oligarkun hungarez Gellert Jaszai të kërkojë kontrata dhe fonde publike në Shqipëri.
Mediat hungareze shkruajnë se pronari i grupit 4iG dhe kompanisë celulare One Telecommunications u takua për të dytën herë brenda pak muajsh privatisht me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, në përpjekje për të mbyllur marrëveshje dhe kontrata në Shqipëri. Këtë herë, fokusi i takimeve me sa duket ka qenë kontratat në industrinë e mbrojtjes.
Pas kërcënimeve në Hungari, me sa duket oligarku Gellert Jaszai ka hedhur sytë nga Shqipëria për të shpëtuar kompaninë e tij përmes kontratave dhe favoreve qeveritare.



