Politikë

Alarmi për kompaninë “One” – Pas rënies së Orbanit në Hungari, oligarku Gellert Jaszai i turret Shqipërisë! Takimet private me Edi Ramën për kontratat e mbrojtjes

Agjencia e lajmeve Reuters e përfshin grupin 4iG, e cila është kompania mëmë e ONE Albania, në listën e 4 kompanive që rrezikojnë të dalin nga tregu pas rotacionit në Hungari.

“Kompanitë e ekspozuara politikisht, si konglomerati i ndërtimit dhe energjisë Opus Global, zhvilluesi i pasurive të paluajtshme Appeninn dhe firma e telekomunikacionit 4iG, kanë përjetuar rënie të ndjeshme të çmimeve të aksioneve, teksa investitorët faktorizuan primet e humbura të kontrollit politik,” shkruan Reuters.

Duke cituar burime nga qeveria, ish-zyrtarë dhe analistë, agjencia ndërkombëtare Reuters shkruan se disa nga këto kompani do të zhduken.

  • foto galeri

Rënia e Viktor Orban nga pushteti dhe sulmi që kryeministri i ri hungarez Peter Magyar ka nisur ndaj grupit 4iG, si simbol i korrupsionit të qeverisë së shkuar, duket se e ka detyruar oligarkun hungarez Gellert Jaszai të kërkojë kontrata dhe fonde publike në Shqipëri.

 

Mediat hungareze shkruajnë se pronari i grupit 4iG dhe kompanisë celulare One Telecommunications u takua për të dytën herë brenda pak muajsh privatisht me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, në përpjekje për të mbyllur marrëveshje dhe kontrata në Shqipëri. Këtë herë, fokusi i takimeve me sa duket ka qenë kontratat në industrinë e mbrojtjes.

Aksionet e 4iG kanë humbur 60 për qind të vlerës së tyre që nga fillimi i vitit. Kompania mëmë e ONE Albania konsiderohet si kompania më e ekspozuar politikisht në Hungari, e cila u fry përmes kontratave të drejtpërdrejta nga qeveria, përfshirë një kontratë sekrete 3.5 miliardë euro pak javë para zgjedhjeve, të cilën Magyar është zotuar se do ta rishikojë.

Pas kërcënimeve në Hungari, me sa duket oligarku Gellert Jaszai ka hedhur sytë nga Shqipëria për të shpëtuar kompaninë e tij përmes kontratave dhe favoreve qeveritare.