Opinion

Frank Shkreli: Nga Kuvendi te pasarela, kur deputetët harrojnë se ku ndodhen, shalë jashtë, dinjitet jashtë? Çfarë po ndodh me Kuvendin e Shqipërisë?

Nga Frank Shkreli * Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë*

John Adams, njeri prej udhëheqësve të Revolucionit Amerikan dhe ish- President i Shteteve të Bashkuara, ka shkruar me 1776-së: ”Dhoma e Përfaqësuesve te Kongresit Amerikan duhet të jetë më e afërta me popullin duke përfaqësuar pikëpamjet e tyre… Ajo duhet të jetë, në miniaturë, një portret i saktë i popullit në tërësi”.

At Gjergj Fishta: “Njerzit e shtetit nuk jane Shqipnia”.

Ndonëse jam në plazh për një javë, ishin deputetët e Kuvendit të Shqipërisë që më frymëzuan për këtë shënim. Sesioni i ri i Kuvendit të Shqipërisë nisi, por disa prej përfaqësuesve të popullit dukeshin sikur po shkonin ne plazh  se kishin vendosur që në vend të përfaqsimit të popullit, të na kujtonin, me veshjen e tyre, se parlamenti shqiptar mund të shërbejë edhe si pasarelë  ose plazh. Për hir të së vërtetës, kjo nuk është hera e parë e një shfaqjeje të tillë nga parlamentarët shqiptarë, qoftë në Tiranë, qoftë në Prishtinë. Në vend të kostumeve dhe veshjeve që lidhen tradicionalisht me një institucion shtetëror, kemi parë deputetë me shalë të shkurtra e të gjata, sikur sapo të kishin dalë nga plazhi apo nga një shëtitje verore, ose shfaqje modë në pasarelë. Ndoshta dikush do të thotë se kjo është “modë”, “modernitet” apo “liri personale”. Mund të jetë. Por ka një pyetje shumë më të thjeshtë: A ka më rëndësi se çfarë duan të veshin deputetët, apo ku dhe për çfarë arsye janë zgjedhur? Nuk është fjala për moralizim dhe as për të diktuar se si duhet të vishet një qytetar në jetën e tij private. Secili është i lirë të vishet si të dëshirojë, natyrisht. Por Kuvendi nuk është hapësirë private. Është institucioni më i rëndësishëm përfaqësues i vendit.Kur një deputet hyn në sallën e parlamentit, ai ose ajo nuk hyn vetëm si individ. Hyn si përfaqësues i mijëra qytetarëve që i kanë dhënë votën për tu shërbyer atyre.  Për këtë arsye, edhe paraqitja e jashtme është pjesë e respektit për institucionin.

Shqipëria nuk ka nevojë për një Parlament që të tërheqë vëmendjen me shalët e deputetëve. Ka nevojë për një Parlament që të tërheqë vëmendjen me punën e deputetëve të vërtetë dhe jo të despotëve të zgjedhur. Prandaj nuk është e tepërt të kërkohet që në Shqipëri por edhe Kosove të kuptohet se Kuvendi nuk është pronë personale e deputetëve. Është shtëpia e përfaqësimit të popullit.

Dhe këtu problemi bëhet më i madh se një palë shalë. Sepse ajo që shohim në pamjen e jashtme shpesh është vetëm simptomë e një problemi më të thellë: rënies së standardeve morale,  institucionale dhe të kulturës së përgjegjësisë publike.

Një parlament nuk bëhet modern duke braktisur etikën. Nuk bëhet evropian duke kopjuar çdo modë të rrugës. Dhe nuk bëhet demokratik duke harruar se demokracia kërkon edhe përgjegjësi. Shqiptarët kanë probleme të mëdha: korrupsionin, drejtësinë, emigracionin, varfërinë, demografinë, arsimin, shëndetësinë, protestat qytetare prej 3-muajsh dhe perspektivën evropiane të vendit. Shqipëria nuk mund të hyjë në Evropë vetëm me fjalë, ndërsa institucionet e saj shfaqin mungesë të standardeve elementare të seriozitetit dhe etikës parlamentare.

Ndërkaq, qytetari shqiptar që sheh Kuvendin pret të dëgjojë debate serioze, argumente dhe zgjidhje. Ose të pyesë veten: “A kemi ardhur në parlament apo në plazh?” Vërtetë, një shfaqje e turpshme kombëtare!

Dikujt kjo shfaqje mund t’i duket si një çështje e vogël. Por institucionet e mëdha ndërtohen edhe nga gjëra që duken të vogla. Respekti për institucionin fillon nga detajet. Kuvendi i Shqipërisë nuk është lokal natë dhe as një podium mode dhe nuk mund të përdoret si i tillë. Dhe nëse përfaqësuesit e popullit nuk e kuptojnë këtë, atëherë nuk është çudi që edhe qytetarët ta humbin respektin për institucionin. Shqipëria nuk ka nevojë për një parlament që të tërheqë vëmendjen me shalët e deputetëve. Ka nevojë për një parlament që të tërheqë vëmendjen me punën e deputetëve të vërtetë dhe jo të despotëve të zgjedhur. Prandaj nuk është e tepërt të kërkohet që në Shqipëri por edhe Kosove të kuptohet se Kuvendi nuk është pronë personale e deputetëve. Është shtëpia e përfaqësimit të popullit. Kjo është diferenca midis një institucioni serioz dhe një shfaqjeje të shëmtuar. Dhe shqiptarët meritojnë më shumë se një shfaqje të tillë nga përfaqsuesit e tyre jo vetëm në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, por edhe të Republikës së Kosovës, sepse nuk bëhet fjale vetëm për një rast ose më shumë vetëm në Shqipëri. Sepse ky është një problem më i gjerë i kulturës parlamentare shqiptare.