Vangjush Saro: Arsimi dhe bota jonë e çoroditur
Qeveritë shqiptare dhe administrata, pa ua mohuar disa arritje, gjithsesi kanë mbetur larg shkollës dhe Arsimit; ata kthyen sytë nga paratë, nga bandat, nga kullat, nga rrëmbimi i hapësirave publike. Dhe ja tek jemi…Mbase kamerat e shtuara na japin një dorë, që t’i kemi së paku më të sigurta. Shkollat e kam fjalën. Por më e para, është qasja jonë në jetë, zbatimi i ligjeve dhe i rregullave të mirësjelljes, të qytetarisë, dëshira për të rritur fëmijë të edukuar, që mos i bëhen barrë vendit; përkundrazi, të japin kontributin e tyre për ta lartësuar emrin e Shqipërisë.

Teksa përcjellim nipërit për në shkollë, duke përshkuar me makinë atë pak rrugë, duke dëgjuar muzikë, duke ndjekur bisedat e tyre me “zyshën” – siç i them ndonjëherë gruas, ngase ka qenë mësuese – ndodh që më shkon mendja te shkollat e mia; nga ajo fillore, te gjimnazi… Këto radhë, duket sikur janë njëlloj nostalgjie; por unë besoj se shërbejnë më mirë sot, në kushtet kur Arsimi ynë po kalon probleme. Tek Arsimi, te shkolla, mishërohen aq shumë emra, kujtime, vlera, detyrime, që të shoqërojnë dhe të ndriçojnë.
Mengjezave, takohesha me Kostaqin (Duka) një nga shokët e mirë të të gjithë jetës, poet e dramaturg. (Tash jeton në ShBA.) Vinte nga lagjia Shën Triadha, ku jetonte edhe familja e kinoregjisorit Viktor Gjika. Ne linim në të majtë shtëpinë e shokut tonë Vladimir Caci dhe në të djathtë atë të Emil Qirinxhiut (është xhiruar atje filmi muzikor “Karnavalet”) dhe vazhdonim nëpër rrugicat që aq bukur i ka pikturuar i madhi Vangjush Mio. Bashkoheshim me Pandi Papandon; një nxënës ekselent dhe shok i mirë. (U bë inxhinier, por shkruan edhe letërsi, ka botuar dy romane.)
Diku më poshtë, mbetej pas Furra e Pjekjes e Dhorit; ndonjëherë, këtu shkëmbeheshim me makinën e doktor Polenkës (kirurgu i njohur Sotir Polena). Në krah, jetonte me qera familja e shokut tonë, Dadës; (Dhimitër Xhambazi). Djalë i shkëlqyer. I dha aq shumë futobollit, bashkë me një sërë emra të nderuar të asaj kohe, si Vaskë Thimio, që e kishte shtëpinë pak më poshtë – në krah të vëllezërve Dhimollari, disa prej tyre, gjimnastë të njohur – për të shkuar më tej e për të lënë në krah Mitropolinë. (Në një nga ditët kur “luftohej” kundër fesë, kemi ndenjur për një kohë të gjatë të shikonim se si punonjësit e Komunales po përpiqeshin të hiqnin nga kupola e saj kryqin e madh.) Aty diku e kishte shtëpinë shkrimtari Sotir Andoni e, më këtej, Marjeta Pronjari, një nga etalonet e sportit shqiptar dhe, po ashtu, aktori i njohur Andrea Pepi. Ndërsa përballë, jetonte portieri i parë i “Skënderbeut”, veterani i Kampionateve Futbollistike Shqiptare Klani Marjani.
Gjithë në krah të ndërtesës tjetër, po pronë e Kishës, që ishte më tepër si shkollë, merrnim tatëpjetë. Aty diku jetonte Niko Faber, ndjesë pastë, atëherë një nga basketbollistët e njohur të “Skënderbeut”, djalë simpatik dhe me një edukatë fine; ne e nderonim. Edhe kur hyri në politikë, prapë la profilin më të mirë. Pastaj merrnim me vete shokun tim Koço Jotën, që ishte fqinj me aktorët (e ardhshëm) Guri Koço e Keti Koti, si dhe me vëllezërit Pulaj, kampionë në gjimnastikë. Në të majtë, linim pas vilën e Dr. Merlikës, që kishte dy djem si yje; dikur ata do t’i internonin. Përballë tyre, jetonte Tomi Stefanllari, një tjetër kampion në Atletikë, si dhe mikesha ime Marjana, mbesë e pionierit të arsimit shqiptar Sotir Peci dhe bijë e Gaqo Pecit, profesorit që e burgosën për idetë e tij. (Sa kam dëgjuar, ndër të vetmit që e mbrojtën në gjyqin e turpshëm, ishte regjisori Aleko Skali.)
Ndonjëherë, këtu bashkohej me ne shoku ynë Alqi Mulo, sot mjek në ShBA. Ai vinte nga rruga e Liceut të famshëm, ku e kishte shtëpinë edhe kompozitori Kristo Kono, autor i operas “Lulja e kujtimit”; dhe po aty afër pianisti Boris Plumbi. Te Alqi, më shumë se kudo, bënim mbrëmje (party) duke sajuar “ditëlindje” e duke kënduar dhe kërcyer soj-soj, edhe pse babai i tij ishte Drejtor i Radio Korçës. Atje punonte edhe gazetari e shkrimtari i mirë Andon Mara. Radioja ndodhej në krahun tjetër të qytetit, nga ku fillonte “Lagjia e myslimanëve” dhe ishin shtëpitë e Merdanëve, për të cilët dinim pak atëherë. (Madje edhe Sherifin, që punonte në Librazhd, e njohëm vonë, kur ndriti në Festivalet e Këngës dhe Anketat Muzikore.)
Tani lëmë pasticerinë “Agimi”, ku mbasditeve, ndonjëherë, e ndjenim veten pak të kohës; rrinim brenda, në se kishim lekë dhe… jashtë, te dera e pasme, kur nuk kishim aso. Ja edhe kinema “Morava”, ku “faleshim” kohë e pa kohë. Ajo, shkolla, biblioteka, Teatri A. Z. Çajupi, Radiot që fishkëllenin, stadiumet, këto na edukuan, na zgjeruan dijet dhe dëshirat për të parë e bërë më shumë, si dhe shpresat për më mirë. Është një rrugë e gjatë gjer te shkolla. Në krah, ishte Biblioteka e Qytetit; atje punonin Kostaqja pedante dhe e bukura e inteligjentja Klara Çelo, përkthyese e njohur. Në lulishten para saj, monumenti i Themistokli Germenjit. Tatëpjetë, në të dyja krahët – shtëpi elegante dhe të qeta. Nga rrugët që lidhnin lagjet me bulevardin kryesor, vinin disa nga shoqet e shokët e mi, mes të cilëve Koço Broka, ekspert ekonomie, Irena Gjoka, gazetare, Lili Kristuli, mjeke, shkrimtare, por edhe më të rritur, që pak i njihnim, por i respektonim: Klodi Stralla, Stefanaq Gjermani…
Diku aty afër, kishin shtëpitë (e lindjes) regjisori i njohur Piro Milkani dhe aktorët Vangjush Furxhi, Minella Borova e Niko Kanxheri, që shkëlqyen në teatër e në film e, pak më poshtë, poetesha Natasha Lako dhe, diku në lagjen përkarshi Nasi Lera e Kiço Blushi, si dhe shoqja jonë mjekja Valentina Baze Agolli, etj. Lagje të bekuara.
Ja “Turizmi i Vjetër” alias “Valbona” – ndërtesë nga ato që s’i gjen më – ku gjithashtu janë xhiruar disa filma. Arsimi dhe arti janë në shërbim të jetës, ato drejtojnë botën tonë të vështirë. Në këtë sens, u mbetemi mirënjohës aktorëve që e shkuan jetën skenave dhe shesheve të xhirimit: Pandi Raidhi, Stavri Shkurti, Dhimitërt Orgocka, etj. Përbri, “Lëndina e Lotëve” me historitë e saj të kurbetit, (që këto kohë ende po i shoqërojnë shqiptarët, tash me temën e shpopullimit.) Pastaj, sheshi përpara stadiumit “Skënderbeu”, që na kujton portierët e spikatur Koço Dinella e Jani Kaçi, trajnierët e apasionuar Piro Kasati dhe Aleko Pilika, atletet me medalje dhe arritje ndërkombëtare si Pavlina Evro, etj. (Ndonjëherë, verës, këtej nga shikonte busti i heroit kombëtar, në stadium ngrihej ringu, ku zhvilloheshin (gjer në mbrëmje, me drita) ndeshje boksi, që pastaj u ndaluan; kurse kampioni Dhori Gërnjoti, që tentoi të arratisej, gjeti Spaçin dhe vuajti aq shumë.) Prapa stadiumit, ishte pishina; atje kam parë ndeshjet e para të vaterpol-it siç i thoshim ne; (water pool). Më pas, pishina “avulloi”; kushedi pse. Por prapë çka, u ngrit aty afër Pallati i Sportit Tamara Nikolla.
Në Arsimin dhe jetën e atij trualli, me shumë emra e kulturë, sekush kishte rëndësinë e tij; pavarësisht nëse ishte nga qyteti apo nga fshati, ishte i njohur apo jo. Atyre… nga fshati, ne u thoshim “aga”; por jo se nuk i donim. (Fundja, aga është njëlloj beu.) Përtej lodrave me humor, vetë nuk kam ndjerë asnjëherë të tilla ndjesi cinike: nga qyteti apo nga fshati, i krishterë apo mysliman, etj. (Nga fshati, kishin ardhur Petraq Zoto e Teodor Laço, do të vinte Skënder Rusi, Thani Naqo e Skënder Demolli, emra të spikatur në Letrat Shqip.)
Edhe pak dhe jemi te gjimnazi im, “Raqi Qirinxhi”… Atje jepnin mësim Vangjush Ziko e Niko Bello, që kishin studjuar njëri në Rusi e tjetri në Francë, Guri Pandeli e Niko Pano, që kishin studjuar në Hungari; po aq komunikues edhe Niko Kaçadani, Bozhidar Marash, Nella Frashëri, Hysni Dvorani, Bardhi Kreka, etj. Nga bulevardi (që nisej prej Bankës) vinin në shkollë shokët tanë: Edmond Budina, aktor e regjisor apo Agim Xhafka, gazetar e shkrimtar, etj. (Sigurisht, për momentin, nuk ndërmend shumë emra të tjerë, të njohur e miq të hershëm apo asish që u shfaqën më vonë, por që ndoqën në mënyrën më të thjeshtë vijën e jetës së tyre.)
Ani. Rruga për te shkolla, është gjithnjë një realitet e kujtim i çmuar; ajo na tregon nga vijmë, si jemi rritur, ç’qytetarë jemi. Rruga për te shkolla dhe ajo vetë, janë të shenjta. Shumëçka prej kësaj, ne e kemi harruar njëfarësoj. Qeveritë shqiptare dhe administrata, ca më tepër kjo e Kryeministrit Edi Rama, pa ua mohuar disa arritje, gjithsesi kanë mbetur larg shkollës dhe Arsimit; ata kthyen sytë nga paratë, nga bandat, nga kullat, nga rrëmbimi i hapësirave publike. Dhe ja tek jemi… Mbase kamerat e shtuara na japin një dorë, që t’i kemi së paku më të sigurta. Shkollat e kam fjalën. Por më e para, është qasja jonë në jetë, zbatimi i ligjeve dhe i rregullave të mirësjelljes, të qytetarisë, dëshira për të rritur fëmijë të edukuar, që mos i bëhen barrë vendit; përkundrazi, të japin kontributin e tyre për ta lartësuar emrin e Shqipërisë. Shkolla. E lehtë ta harrosh; e vështirë ta rizbulosh vlerat e saj.


