Opinion

Forum/ Flasin Ing. Nako Petro, Ing. Gjergji Foto, Rifat Kullolli, Nikollaq Gjergji: Nëse 101 ditë protestë nuk sjellin asnjë reflektim, çfarë kuptimi ka konsultimi?

– Kur një vend përballet me plakjen e popullsisë, boshatisjen e fshatrave dhe pasigurinë ekonomike të produkteve të shportës, përgjigja nuk mund të jetë një “revolucion teknologjik”

– Dhe pse protesta vazhdon, Shqipëria po mbetet një republikë ku pushtetet shkrihen në një dorë të vetme dhe ku pushteti lokal trajtohet si shtojcë e një bashkie qendrore

– Politika shqiptare ka mbërritur në udhëkryqin ku zgjidhjet sipërfaqësore kanë konsumuar çdo afat skadence.

-Nëse kryeministri kërkon vërtet të mbyllë kapitullin e tranzicionit, rruga nuk kalon nga muret e reja teknologjike, por nga rishkrimi i rregullave të lojës

– Duhet ndarja e mirëfilltë e pushteteve, rishikimi i Kushtetutës për t’i kthyer Parlamentit rolin kontrollues dhe Presidentit funksionin ekuilibrues.

– Duhet kufizimi i mandateve dhe reforma zgjedhore, përshtatja e sistemit për të lejuar përfaqësim real dhe jo dominim absolut.

-“Lëvizja Bashkë” dështoi të shndërrohej në zërin e parë të revoltës qytetare. ​Mungesa e saj absurde në foltoren e protestës nxori në pah kufizimet e thella të kësaj lëvizjeje

Nako Petro-ish Drejtor i UPTHNB

Zhurma e fletëve që do të bien këtë shtator rrezikon të mbulohet nga thirrjet e bulevardit, po aq sa kjo vjeshtë rrezikon të mbetet sërish robëreshë e një cikli të pambyllur tranzicioni. Analiza për krizën e qeverisjes së Edi Ramës nuk është thjesht një kronikë politike e së djeshmes, por një diagnozë e qartë e një sëmundjeje që nuk kurohet me makiazh teknologjik apo algoritme pa shpirt. Kriza e kësaj vere nuk u shpik nga hiçi, as nuk u shua me doza diplomacie apo ikje sezonale, kërkesa për llogaridhënie përballë korrupsionit endemik, pastrimit të parave me kullat që ngrihen si kërpudha dhe mënjanimit të pronarëve të ligjshëm nuk gjen përgjigje te platforma digjitale apo vizionet virtuale. Teknologjia mund të automatizojë shërbimet, por nuk prodhon dot empati, as nuk zëvendëson dot shtetin e së drejtës. Kur një vend përballet me plakjen e popullsisë, boshatisjen e fshatrave dhe pasigurinë ekonomike të produkteve të shportës, përgjigja nuk mund të jetë një “revolucion teknologjik”, por një reformë e thellë morale dhe strukturore. Politika shqiptare ka mbërritur në udhëkryqin ku zgjidhjet sipërfaqësore kanë konsumuar çdo afat skadence. Për sa kohë Shqipëria mbetet një republikë ku pushtetet shkrihen në një dorë të vetme dhe ku pushteti lokal trajtohet si shtojcë e një bashkie qendrore, çdo lëvizje antinjerëzore apo antikrizë do të jetë thjesht një shtyrje afati për përplasjen e radhës. Nëse kryeministri kërkon vërtet të mbyllë kapitullin e tranzicionit, rruga nuk kalon nga muret e reja teknologjike, por nga rishkrimi i rregullave të lojës te cilat sipas mendimit tim konsistojne: Ndarja e mirëfilltë e pushteteve , rishikimi i Kushtetutës për t’i kthyer Parlamentit rolin kontrollues dhe Presidentit funksionin ekuilibrues. Kufizimi i mandateve dhe reforma zgjedhore , përshtatja e sistemit për të lejuar përfaqësim real dhe jo dominim absolut. Kirurgjia morale në administrate kerkon largimi i çdo zyrtari nën dyshim të arsyeshëm, pa u fshehur pas procedurave të zgjatura gjyqësore. Vjeshta që po troket nuk kërkon piktura të reja mbi fasadat e dëmtuara, nëse udhëheqja nuk gjen forcën të ndajë pushtetin e të përballet me shkaqet e vërteta të revoltës qytetare, shtatori nuk do të sjellë thjesht rënien e gjetheve, por përthellimin e një ankthi qeveritar që asnjë algoritëm nuk do të mund ta qetësojë.

Prof. Gjergji Andon Foto:

“Protesta popullore është mundësia për rithemelimin e pluralizmit dhe demokracisë së vërtetë”

Në një moment kur protesta 101-ditore ka hapur një debat të gjerë për gjendjen e demokracisë, funksionimin e institucioneve dhe drejtimin që duhet të marrë Shqipëria, gjithnjë e më shumë po shtrohet pyetja nëse kemi të bëjmë vetëm me një revoltë kundër qeverisjes së sotme apo me një krizë më të thellë të modelit politik të ndërtuar gjatë 35 viteve të fundit. Në këtë debat sjell këndvështrimin e tij edhe Prof. Gjergji Andon Foto, i cili e sheh krizën e sotme në një perspektivë shumë më të gjerë historike. Duke iu referuar studimeve dhe materialeve që lidhen me transformimin politik të viteve 1990–1991, ai argumenton se problemet e sotme nuk kanë lindur dje, por janë rrënjosur që në mënyrën se si u konceptua dhe u ndërtua pluralizmi shqiptar pas përmbysjes së sistemit të vjetër. Prof. Foto rikthehet te ditët e para të pluralizmit, te zhvillimet e Dhjetorit dhe te protagonistët e atij transformimi, duke sjellë edhe përvojën e tij personale si një njohës i drejtpërdrejtë i atmosferës së studentëve dhe të protestave të asaj periudhe. Ai ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si u përcaktuan drejtuesit politikë dhe mbi ndikimin që, sipas tij, patën zgjedhje të caktuara në formësimin e sistemit që do të vinte më pas. Por analiza e tij nuk ndalet te historia. Ai e lidh gjendjen e sotme me atë që e konsideron dështim të modelit politik dhe ekonomik të këtyre 35 viteve. Kritika e tij prek qeverisjen, opozitën, korrupsionin, emigracionin, arsimin, shëndetësinë, punësimin, ndërtimet, çmimet e pasurive të paluajtshme dhe raportin mes investimeve të mëdha dhe interesit real të qytetarëve. Një pjesë e rëndësishme e intervistës i kushtohet edhe protestës popullore. A mund të shërbejë ajo si pikënisje për një ndryshim më të thellë politik? A është koha për një rithemelim të pluralizmit dhe të demokracisë? A duhet që protesta të kufizohet te kërkesa për rotacion politik apo të artikulojë një alternativë të re për zhvillimin e vendit? Prof. Foto është kritik edhe ndaj mënyrës se si është konceptuar zhvillimi ekonomik i Shqipërisë. Sipas tij, Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për kulla, resorte dhe investime luksoze, por mbi të gjitha për punë, arsim, shëndetësi, banesa të përballueshme dhe mundësi që qytetarët të ndërtojnë jetën e tyre brenda vendit. Në intervistë ai prek edhe çështjen e ndikimeve ndërkombëtare dhe të organizatave e figurave që, sipas tij, kanë ushtruar ndikim mbi politikën shqiptare. Këtu, disa prej pohimeve të tij janë qartësisht vlerësime dhe interpretime personale, ndaj duhen lexuar si të tilla dhe jo si fakte të provuara. Në thelb të gjithë argumentit të Prof. Fotos qëndron një bindje: problemi i Shqipërisë, sipas tij, nuk zgjidhet thjesht me ndërrimin e një qeverie me një tjetër, por kërkon ndryshim të mënyrës së funksionimit të demokracisë dhe të marrëdhënies së politikës me qytetarin. Dhe pikërisht këtu qëndron edhe pyetja më e madhe që ai ngre: a mund të jetë protesta e sotme fillimi i një kapitulli të ri politik për Shqipërinë?

Ing. Nikollaq Gjergji:

Protesta mbi 101-ditore zgjoi ndërgjegjen qytetare dhe nxori në pah krizën e pushtetit

Opinioni im rreth protestës mbi 101-ditore në Shqipëri dhe përtej kufijve është se ajo ka rritur ndjeshëm ndërgjegjen e pjesëmarrësve dhe ka zgjuar më fort ndjenjat atdhetare e qytetare. Në të njëjtën kohë, ajo ka ekspozuar para opinionit publik dobësitë dhe përgjegjësitë e atyre që prej vitesh mbajnë pushtetin. Gjatë gjithë kësaj periudhe protestash dhe përplasjesh publike, është krijuar një panoramë e re e shoqërisë shqiptare. Në njërën anë janë qytetarët protestues, të cilët kërkojnë ndryshim dhe më shumë përgjegjshmëri nga institucionet; në anën tjetër është një pushtet që, sipas kritikëve të tij, po mbrohet përmes mekanizmave politikë, administrativë dhe strukturave të kontrollit. Në këtë debat, eksperti dhe intelektuali Nako Petro, së bashku me shumë ekspertë e intelektualë të tjerë, ka sjellë analiza që meritojnë të diskutohen seriozisht. Shkrimet dhe qëndrimet e tij gjatë kësaj periudhe e shohin protestën jo vetëm si një reagim ndaj një situate të caktuar politike, por si një mundësi për të diskutuar probleme shumë më të thella të demokracisë shqiptare. Protesta, pavarësisht përfundimit të saj politik, ka prodhuar një efekt të rëndësishëm: ka shtuar ndërgjegjësimin e pjesëmarrësve dhe ka nxjerrë në sipërfaqe pyetje që nuk mund të anashkalohen më lehtë. A duhet të funksionojë më mirë ndarja e pushteteve? A ka nevojë për një rishikim të mekanizmave kushtetues? A duhet të kufizohen mandatet politike? A garanton sistemi aktual zgjedhor përfaqësim real? Dhe sa e domosdoshme është një administratë publike profesionale, e depolitizuar dhe e përgjegjshme? Në këtë kuadër, Nako Petro ka artikuluar tri drejtime që, sipas tij, duhen vendosur në qendër të debatit:

1.Ndarja e mirëfilltë e pushteteve, përmes rishikimit të mekanizmave kushtetues dhe forcimit të rolit kontrollues të Parlamentit dhe funksionit ekuilibrues të Presidentit.

2.Kufizimi i mandateve dhe reforma zgjedhore, në mënyrë që sistemi politik të krijojë mundësi për përfaqësim real dhe të mos prodhojë dominim absolut të një force politike.

3.Një administratë publike me standarde të forta morale dhe profesionale, ku përgjegjësia dhe integriteti të jenë kritere themelore për ushtrimin e funksioneve shtetërore. Këto nuk janë çështje që duhet të trajtohen vetëm si kërkesa të një proteste. Ato janë pjesë e një debati më të gjerë mbi mënyrën se si duhet të funksionojë shteti shqiptar. Dhe këtu qëndron, sipas meje, një nga efektet më të rëndësishme të kësaj proteste: ajo ka prodhuar ide, pyetje dhe diskutime që mund të vazhdojnë edhe përtej sheshit të protestës. Politikanët në pushtet kanë një mundësi për t’i lexuar këto sinjale dhe për të reflektuar. Nëse nuk e bëjnë, atëherë këto ide mund të marrin formë më të plotë nga shoqëria civile, intelektualët, ekspertët dhe qytetarët që po kërkojnë një model tjetër politik. Në këtë kuptim, Nako Petro është një prej zërave që e ka ndjekur protestën jo vetëm si pjesëmarrës, por edhe si intelektual me penë, duke artikuluar shqetësime që sot qarkullojnë në një pjesë të konsiderueshme të opinionit publik. Protesta mund të mbarojë një ditë. Por pyetjet që ajo ka ngritur nuk mbarojnë me të. Nëse pushteti di t’i lexojë këto mesazhe, mund të korrigjojë kursin. Nëse nuk di ose nuk dëshiron t’i dëgjojë, atëherë vetë shoqëria shqiptare mund të kërkojë përgjigje të tjera. Në fund të fundit, një protestë nuk matet vetëm me numrin e njerëzve në shesh apo me numrin e ditëve që zgjat. Ajo matet edhe me atë që lë pas në ndërgjegjen e shoqërisë. Dhe protesta mbi 101-ditore, sipas këtij këndvështrimi, ka lënë pas një gjë të rëndësishme: një shoqëri më të ndërgjegjësuar, më kërkuese dhe më të gatshme për të diskutuar se çfarë Shqipërie dëshiron të ndërtojë.

Rifat Kullolli


“Lëvizja Bashkë” dhe sprova e dështuar e 101 ditëve..Arlind Qorri politikani pa zë në sheshin qytetarë.. . ​Protesta 101-ditore e qytetarëve kundër sistemit politik 35-vjeçar të dominuar nga klika e Edi Ramës dhe Sali Berishës, shërbeu si lakmusi më i qartë për të matur peshën reale të forcave politike që pretendojnë se përfaqësojnë “të renë”.  Në një moment historik ku pakënaqësia popullore kërkonte një udhëheqje të fortë, të drejtpërdrejtë dhe pa kompromise në shesh, “Lëvizja Bashkë” dështoi të shndërrohej në zërin e parë të revoltës qytetare. ​Mungesa e saj absurde në foltoren e protestës nxori në pah kufizimet e thella të kësaj lëvizjeje, duke ngritur pikëpyetje thelbësore mbi guximin dhe kapacitetin e saj drejtues. ​Për 101 ditë rresht, mijëra qytetarë po kërkojnë një alternativë reale përballë një klase politike të korruptuar që mban peng vendin prej dekadash. Megjithatë, nga “Lëvizja Bashkë” nuk doli asnjë përfaqësues i zëshëm që të ngjitej në foltoren e protestës, të merrte fjalën dhe të udhëhiqte revoltën. Ky mënjanim demonstron një paaftësi për të përballuar presionin e terrenit dhe një hezitim që nga qytetarët lexohet si frikë apo pasiguri për të marrë përgjegjësi direkte politike. ​Retorika e ekraneve kundrejt veprimit në shesh janë dy gjëra krejt të ndryshme ,sepse eshtë e lehtë të ndërtosh një fjalor kritik në studiot televizive apo të hartosh deklarata të mirëmenduara në rrjetet sociale. Por politika e ndryshimit nuk bëhet me statusë të kuruar, ajo matet me praninë fizike dhe aftësinë për të marrë fatet e një lëvizjeje popullore në duart e veta. Mungesa e kurajës për të dalë në ballë të protestës 101 ditëve te qëndresë e ka zbehur statusin e “Lëvizjes Bashkë”, duke e kthyer atë nga një forcë e pretenduar ndryshimi në një spektatore pasive të revoltës.

​Unë këtë e shoh si një krizë lidershipi përballë duelit Rama-Berisha, sepse për të përmbysur një kaste politikë të kriminalizuar 35-vjeçare, e ndërtuar nga Rama & Berisha, nuk mjafton vetëm denoncimi publik . Kërkohet një lidership i fortë, me guxim, operacional dhe me karakter që frymëzon besim te masat.  Arlind Qorri dhe drejtuesit e lëvizjes treguan se u mungon vendosmëria për të qenë udhëheqës të një përplasjeje të madhe politike. Hezitimi apo frika për të udhëhequr zërin qytetar e la protestën pa një drejtim të qartë organizativ nga kjo forcë. Tendenca për tu justifikuar se aty në shesh protestojnë qytetarët dhe jo forcat politike, është gabimi më fatal , që i shërben Sali Berishës dhe Edi Ramës..

Kur një lëvizje që pretendon se përfaqëson qytetarët e thjeshtë, pensionistët dhe shtresën e rrënuar dhe nuk ndodhet në ballë të protestës më të gjatë popullore, ajo humbet perspektivën e saj kryesore. Pamundësia për të artikuluar kërkesat e sheshit dhe për t’i finalizuar ato në një aksion konkret politik, tregon se “Lëvizja Bashkë” mbetet më shumë një grupim diskutimesh se sa një mekanizëm i aftë për të marrë pushtetin e për të sjellë ndryshimin.

​Testi i 101 ditëve tregoi se për të qenë lider i qytetarëve nuk mjafton të kesh të drejtë në diagnozën dhe kritikën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik , por duhet të kesh bo*le, kurajë dhe forcë për të udhëhequr betejën në terren. Heshtja apo fshehja pas qytetarëve dhe mënjanimi nga foltorja e protestës, mos marrja e përgjegjësive konkrete, po e redukton “Lëvizjen Bashkë” në një mundësi të çuar dëm për të ndërtuar një Shqipëri pa kastën e vjetër politike… Ndoshta një lugë çorbë e qeverisë, ka dhënë efektin e duhur ne momentin më kritik , ftohjen e protestës dhe mbrojtjen e klikës. Ndryshe nuk ka bir kur*ve që e përtyp politikën e “Lëvizjes Bashkë”