Aktualitet

Zjarri masiv në Gjirin e Lalzit, evakuohen pushuesit nga një hotel dhe familjarë nga banesat

Një zjarr masiv ka përfshirë zonën e Shën Pjetrit në Gjirin e Lalzit.

Flakët kanë rrezikuar seriozisht një kompleks turistik, por tashmë raportohet se situata po vihet nën kontroll.

Për ngjarjen ka reaguar dhe kryebashkiakja e Durrësit Emirjana Sako, e cila njofton evakuimin e pushuesve nga hoteli për arsye sigurie si dhe familjet që banonin aty pranë.

Ndërhyrja e ekipeve të angazhuara të zjarrfikësve është e vështirë për shkak të shtrirjes së gjerë të flakëve.

 

Ekipet do të qëndrojnë në terren gjatë gjithë natës, për të bërë të mundur shuarjen e flakëve dhe për të siguruar që vatra e zjarrit të mos zgjerohet.

“Një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë zonën e Shën Pjetrit në Gjirin e Lalzit. Përhapja e shpejtë e flakëve është favorizuar edhe nga era e fortë.

Strukturat zjarrfikëse të Bashkisë Durrës dhe ato të emergjencave kanë ndërhyrë menjëherë në terren dhe prej disa orësh po vijojnë operacionin intensiv për vënien nën kontroll të situatës dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit.

Për arsye sigurie dhe për të garantuar jetën e qytetarëve, është kryer menjëherë evakuimi i plotë i të gjithë personave që ndodheshin në një kompleks turistik dhe në një banesë private pranë zonës së rrezikut.

Në këtë operacion masiv janë angazhuar kapacitete të shumta njerëzore dhe logjistike në nivel rajonal e kombëtar.

Operacioni mbetet i vështirë për shkak të shtrirjes së gjerë të flakëve, por ekipet operacionale po punojnë pa ndërprerje për izolimin e plotë të vatrave. Bashkia Durrës, në koordinim të ngushtë me Ministrinë e Brendshme, Mbrojtjen Civile dhe të gjitha shërbimet e emergjencës, po ndjek hap pas hapi situatën dhe mban në gatishmëri të plotë të gjitha kapacitetet e saj deri në normalizimin e plotë të situatës”, tha Sako.