Politikë

Rasti Balluku, PE e përfshin në amendamentet e raportit për Shqipërinë: Duhet të konsolidohen rezultatet e hetimeve

Plot 305 amendamente janë kërkuar nga një grup deputetësh të Parlamentit Europian, lidhur me projekt-raportin e vitit 2025 për Shqipërinë, pasi ata e shohin me shqetësim klimën e polarizuar në Parlamentin e vendit tonë.

Kështu, mes shumë amendamentesh, bien në sy ato që lidhen me klimën në Parlament si dhe Reformën në Drejtësi, për çështjen e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku apo me protestat e opozitës.

“Shpreh shqetësim për polarizimin politik të vazhdueshëm dhe diskursin konfrontues politik, që minojnë mbikëqyrjen parlamentare, besimin e publikut dhe funksionimin efektiv të institucioneve demokratike; rikujton se protestat e dhunshme nuk kanë vend në një demokraci funksionale.”, është shprehur  raportuesi për Shqipërinë, Andreas Schieder dhe 5 eurodeputëtë të tjerë Adnan Dibrani, Tonino Picula, Matja? Nemec, Thijs Reuten, Marco Tarquinio, në amendamentin numër 84.

Ndërkohë Amendamenti 114 , po sipas Schieder, thekson se korrupsioni mbetet një shqetësim serioz dhe, pavarësisht përparimeve në kuadrin ligjor dhe institucional, “Shqipëria duhet të konsolidojë më tej rezultatin e hetimeve, ndjekjeve dhe dënimeve përfundimtare, sidomos në rastet e korrupsionit në nivele të larta; mirëpret miratimin e ligjeve kyçe anti-korrupsion, përfshirë mbrojtjen e sinjalizuesve dhe konfliktin e interesit, dhe kërkon zbatimin e tyre të plotë”.

Mes të tjerash, amendamenti 253 nga Andreas Schieder, “përgëzon Shqipërinë për përputhjen e saj të plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, përfshirë masat kufizuese, angazhimin e vazhdueshëm në misionet dhe operacionet CSDP, dhe rolin konstruktiv në promovimin e stabilitetit rajonal; mirëpret bashkëpunimin e zgjeruar mbi sigurinë dhe mbrojtjen përmes Partneritetit të Sigurisë dhe Mbrojtjes BE-Shqipëri”.

Ndërkohë, në amendamenti 111, eurodeputeti Ivaylo Valchev, thekson se korrupsioni mbetet një shqetësim serioz dhe se, pavarësisht përparimeve në kuadrin ligjor dhe institucional, Shqipëria duhet të konsolidojë më tej rezultatet e hetimeve, ndjekjeve dhe dënimeve përfundimtare, veçanërisht në rastet e korrupsionit në nivele të larta.

“Shpreh keqardhje për vendimin e kryetarit të Kuvendit për të shtyrë votimin parlamentar mbi heqjen e imunitetit të Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, rikujton se ky vendim është arbitrar dhe pa bazë ligjore; i bën thirrje Kuvendit që të trajtojë çështjen e heqjes së imunitetit të Zëvendëskryeministres Balluku pa vonesë.”, thotë Valchev.

Kujtojmë se më 26 shkurt, në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian, u prezantua draft-raporti për progresin e Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt unionit.