Prof.Dr. Kristaq Kume: Nga protesta te ndryshimi nëpërmjet votës, mësime nga fitorja e studentëve në Serbi
Prof.Dr. Kristaq Kume
Nderi i Kombit
Këtu qëndron një nga mësimet e para edhe për vendin tone. Protesta mund ta detyrojë pushtetin të reagojë, mund të nxjerrë në pah problemet dhe të krijojë një ndjenjë solidariteti. Por ajo nuk e zëvendëson mekanizmin përmes të cilit qytetarët zgjedhin përfaqësuesit dhe ndryshojnë qeverinë. Në një demokraci, ky mekanizëm është vota.
Përvoja e studentëve në Serbi dëshmon gjithashtu rëndësinë e organizimit të qëndrueshëm në territor. Një lëvizje që synon të shndërrohet nga protestë qytetare në një alternativë politike duhet të dalë përtej shesheve dhe të krijojë lidhje të vazhdueshme me qytetarët në të gjithë vendin. Kjo kërkon ngritjen e grupeve nismëtare në qytete, bashki dhe komunitete; organizimin e takimeve të hapura me banorët; krijimin e rrjeteve të vullnetarëve dhe të grupeve të punës
Një lëvizje qytetare nuk e ndryshon domosdoshmërisht qeverisjen vetëm duke mbushur sheshet. Ajo bëhet forcë që sjell ndryshim kur arrin të organizohet, të ndërtojë një alternativë dhe t’ua paraqesë qytetarëve përmes zgjedhjeve. Fitorja e lëvizjes studentore në Serbi në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit 2026 është një ngjarje me rëndësi të veçantë për të gjithë ata që besojnë se ndryshimi demokratik duhet të vijë nga qytetarët. Pas gati dy vitesh protestash, bllokadash universitare dhe mobilizimi në të gjithë vendin, studentët arritën të shndërrojnë pakënaqësinë shoqërore në një alternativë zgjedhore që sfidoi me sukses kampin politik të Aleksandar Vuçiçit. Lista e tyre, me 250 kandidatë, u shndërrua në instrumentin politik të një lëvizjeje që kishte nisur jashtë partive tradicionale.
Rezultatet e publikuara pas votimit treguan një fitore të rëndësishme të kësaj liste.

Ky zhvillim nuk është thjesht një histori për Serbinë. Ai përmban mësime që meritojnë të shqyrtohen seriozisht edhe në Shqipëri, ku protestat qytetare dhe studentore kanë shprehur prej kohësh pakënaqësi të thella ndaj mënyrës së qeverisjes, korrupsionit, mungesës së përgjegjshmërisë dhe funksionimit të institucioneve.Pyetja që shtrohet sot nuk është nëse qytetarët kanë apo jo arsye për të protestuar.
Pyetja është: Si mund të shndërrohet protesta në një proces politik për te realizuar ndryshimin përmes votës?
Lëvizjet qytetare lindin kur një pjesë e shoqërisë ndien se institucionet nuk u përgjigjen
kërkesave të saj, se kanalet e zakonshme të përfaqësimit nuk funksionojnë ose se partitë politike nuk ofrojnë më zgjidhje bindëse.
Në Serbi, zemërimi publik u ndez pas tragjedisë së shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, në nëntor 2024, ku humbën jetën 16 njerëz. Ngjarja u bë simbol i kërkesës për përgjegjësi, transparencë dhe luftë kundër korrupsionit. Studentët organizuan bllokada universitare dhe protesta masive, ndërsa kërkesat e tyre u shndërruan gradualisht në një sfidë ndaj mënyrës së funksionimit të pushtetit.
Në fillim, lëvizja nuk ishte një parti politike dhe as një organizatë e ndërtuar për të marrë pushtetin. Ajo ishte një mobilizim qytetar i mbështetur te kërkesat për përgjegjësi institucionale.
Por studentët kuptuan se, për t’i dhënë vazhdimësi presionit publik, duhej të ecnin në një rrugë që shkonte përtej protestës.
Këtu qëndron një nga mësimet e para edhe për vendin tone. Protesta mund ta detyrojë pushtetin të reagojë, mund të nxjerrë në pah problemet dhe të krijojë një ndjenjë solidariteti. Por ajo nuk e zëvendëson mekanizmin përmes të cilit qytetarët zgjedhin përfaqësuesit dhe ndryshojnë qeverinë.Në një demokraci, ky mekanizëm është vota.
Si në vende te tjera, edhe në Shqipëri, protestat qytetare dhe studentore janë shoqëruar me kërkesa për ndryshimin e mënyrës së qeverisjes, largimin e përgjegjësve politikë, luftën kundër korrupsionit dhe reformimin e institucioneve. Në thelb, një pjesë e këtyre kërkesave synon ndryshimin e klasës politike dhe krijimin e kushteve për një përfaqësim më të mirë të qytetarëve.
Por, pavarësisht ngjashmërive në pakënaqësitë dhe objektivat e deklaruara, ekziston një dallim i rëndësishëm midis protestës si reagim politik dhe lëvizjes politike si projekt për ndryshimin e pushtetit. Në Shqipëri, aktualisht protesta ka artikuluar edhe kërkesa politike. Kërkesa kryesore është dorëheqja e kryeministrit dhe krijimi i një qeverie kujdestare ose kalimtare. Në këto kushte lind një pyetje e pashmangshme, qe duhet te merret ne konsiderate – Çfarë ndodh nëse kjo kërkesë nuk pranohet, ose nëse pranimi i saj nuk sjell ndryshimin e synuar?
Një lëvizje politike e përgjegjshme qytetare duhet të ketë përgjigje edhe për këtë skenar. Ajo duhet të jetë e aftë të përcaktojë hapat e mëtejshëm, jo të mbetet e varur vetëm nga një vendim i kundërshtarit politik. Dorëheqja e një kryeministri mund të jetë një zhvillim i rëndësishëm, por nuk garanton vetvetiu ndryshimin e shumicës parlamentare, ndryshimin e mënyrës së qeverisjes apo të marrëdhënies midis politikës dhe qytetarëve.
Shqipëria ka nevojë për protesta që shprehin pakënaqësinë, por akoma edhe me shumë se kjo, Shqiperia ka nevoje për lëvizje që ofrojnë zgjidhje. Lëvizja ka nevojë për qytetarë që kërkojnë llogari nga pushteti, por edhe për qytetarë që marrin përsipër përgjegjësinë për të ndërtuar alternativa politike.

Mësimi nga Serbia – nga kërkesat te alternativa zgjedhore
Lëvizja studentore serbe nuk u kufizua te kërkesa për dorëheqje apo te presioni për zgjedhje të parakohshme. Ajo ndërtoi një rrugë për të hyrë vetë në garën zgjedhore. Studentët organizuan diskutime dhe vendimmarrje përmes asambleve universitare, të njohura si plenume. Përmes këtij procesi, lëvizja përzgjodhi kandidatët e saj dhe ndërtoi një listë me 250 emra, ku përfshiheshin akademikë, mjekë, profesionistë, aktivistë dhe figura të tjera të shoqërisë.
Më 14 shtator 2026, lista e studentëve u paraqit zyrtarisht për zgjedhjet parlamentare, e mbështetur nga dhjetëra mijëra firma. Lëvizja nuk u mbështet vetëm te emri i studentëve, por te një organizim i shtrirë në territor, te përzgjedhja e kandidatëve dhe te përpjekja për të bashkuar qytetarët e pakënaqur rreth një alternative të përbashkët. Një element me rëndësi ishte vendimi për të mos e ndërtuar listën si një bashkim të zakonshëm me partitë tradicionale të opozitës. Studentët kërkuan të ruanin identitetin dhe pavarësinë e tyre, duke u paraqitur si një alternativë e re politike. Rezultati i zgjedhjeve të 25 tetorit tregoi se kjo strategji mund të prodhojë rezultate konkrete. Kjo përvojë nuk provon se çdo lëvizje studentore mund të fitojë zgjedhjet. Por ajo provon se një lëvizje që fillon me protesta mund të krijojë një alternativë zgjedhore, nëse arrin të bashkojë mobilizimin qytetar me organizimin, besueshmërinë dhe strategjinë politike.
A mund të përsëritet kjo përvojë në Shqipëri?
Nuk ka arsye që përvoja serbe të kopjohet mekanikisht. Shqipëria ka sistemin e vet politik, kuadrin e vet kushtetues dhe zgjedhor, si dhe një histori të ndryshme të marrëdhënieve midis partive, shoqërisë civile dhe institucioneve. Megjithatë, disa elemente të përvojës serbe mund të shërbejnë si pikënisje për diskutim, pjese e rëndësishme e te cilit duhet te jene:
- Të formulohet një objektiv politik i matshëm. Nuk mjafton të thuhet se duhet të ndryshojë qeverisja. Duhet të përcaktohet se çfarë ndryshimi kërkohet, me cilat mjete do të arrihet dhe si do të matet suksesi.
- Të ndërtohet një organizim qytetar i qëndrueshëm. Protesta nuk mund të mbështetet vetëm te grumbullimi periodik i njerëzve në sheshe. Ajo ka nevojë për struktura lokale, komunikim të vazhdueshëm, vendimmarrje transparente dhe njerëz që marrin përgjegjësi për organizimin.
- Të krijohet një alternativë zgjedhore. Nëse synohet ndryshimi i klasës politike përmes votës,lëvizjaqytetare duhet të jetë e aftë të paraqesë kandidatë, program dhe një mënyrë të besueshme për të përfaqësuar interesin publik.
- Të ruhet pavarësia e lëvizjes. Bashkëpunimi me partitë ekzistuese mund të jetë një zgjedhje politike, por nuk duhet të jetë e vetmja rrugë e mundshme. Një lëvizje qytetare duhet të ketëmundësinë të vendosë vetë nëse do të bashkëpunojë me partitë, do të konkurrojë e vetme apo dotë ndërtojë një formë tjetër bashkëpunimi.
- Të hartohet një plan veprimi ku t`i jepet pergjigje pyetjeve se: Çfarë duhet të ndodh nëse
- kërkesat nuk pranohen? Çfarë ndodh nëse shpallen zgjedhjet e parakoheshme? Si përzgjidhen kandidatët? Si sigurohet transparenca financiare? Si kontrollohen përfaqësuesit pasi marrin mandatin?

Një tjetër çështje që meriton vëmendje është raporti midis protestës dhe dhunës. Kur protesta shoqërohet me përplasje, shkatërrim prone ose akte të tjera të dhunshme, rrezikohet të zhvendoset vëmendja nga objektivat politike te përplasja në rrugë. Dhuna mund të largojë qytetarë që i mbështesin kërkesat për ndryshim, por nuk duan të bëhen pjesë e konfrontimit. Ajo mund t’u japë gjithashtu institucioneve dhe kundërshtarëve politikë mundësinë ta paraqesin lëvizjen si problem të rendit publik, në vend që të përballen me thelbin e kërkesave të saj.
Nderkohe, duhet te theksohet se mesimi edhe nga Serbia nuk eshte se protesta duhet të jetë e butë në shprehjen e pakënaqësisë. Mësimi është se protesta duhet të jetë e disiplinuar, e përgjegjshme dhe e orientuar drejt një rezultati demokratik. Forca e saj nuk matet vetëm me intensitetin e përplasjes, por me aftësinë për të fituar besimin e qytetarëve dhe për ta shndërruar atë në mbështetje politike. Përvoja e studentëve në Serbi dëshmon gjithashtu rëndësinë e organizimit të qëndrueshëm në territor. Një lëvizje që synon të shndërrohet nga protestë qytetare në një alternativë politike duhet të dalë përtej shesheve dhe të krijojë lidhje të vazhdueshme me qytetarët në të gjithë vendin. Kjo kërkon ngritjen e grupeve nismëtare në qytete, bashki dhe komunitete; organizimin e takimeve të hapura me banorët; krijimin e rrjeteve të vullnetarëve dhe të grupeve të punës; si dhe ndërtimin e mekanizmave transparentë për vendimmarrjen, komunikimin dhe koordinimin e veprimtarisë. Përvoja serbe, me përfshirjen e studentëve, profesionistëve dhe qytetarëve në organizime lokale, tregon rëndësinë e lidhjes së protestes me një strukturë që vazhdon të funksionojë edhe jashtë ditëve të protestës. Në Shqipëri, një proces i tillë do të kërkonte edhe hartimin e një programi të përbashkët, përcaktimin e kritereve të hapura për përzgjedhjen e përfaqësuesve dhe shqyrtimin e mundësive ligjore për pjesëmarrjen në zgjedhje.
Kjo do t’i jepte lëvizjes mundësinë të dëgjonte drejtpërdrejt shqetësimet e komuniteteve, të ndërtonte një alternativë të mbështetur në nevojat e tyre dhe të përgatitej për konkurrimin elektoral mbi bazën e një programi, kandidatësh dhe përgjegjësish të qarta. Kalimi nga protesta te një lëvizje politike nuk është thjesht ndryshim emri apo krijimi i një strukture drejtues. Ky kalim duhet te zhvillohet si një proces organizimi demokratik, që kërkon pjesëmarrje, besueshmëri, transparencë dhe aftësi për t’i kthyer kërkesat qytetare në angazhime konkrete për qeverisjen.
Në këtë kontekst, është me rëndësi që debati publik shqiptar të mos kufizohet vetem te kërkesat për dorëheqje apo te diskutimet për nevojen per ndryshime kushtetuese dhe legjislative.
Diskutimi duhet te shoqerohet me veprim. Aktualisht po zhvillohet një nismë ligjvënëse për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, e cila synon, ndër të tjera, njohjen e së drejtës së zgjedhësve për të garuar me një Listë qytetare me kandidatë të pavarur.
Propozimi synon të krijojë mundësinë që qytetarët të paraqiten në zgjedhjet parlamentare me një listë të përbashkët, pa qenë të detyruar të konkurrojnë nën siglën e një partie politike. Përmes kësaj nisme, qytetarët mund të kontribuojnë në krijimin e një rruge ligjore për përfaqësimin e organizimeve qytetare në Kuvend. Ky është një propozim që lidhet drejtpërdrejt me një nga mësimet e rëndësishme të përvojës serbe, e cila tregoi se, nëse qytetarët duan të ndryshojnë qeverisjen përmes votës, duhet të kenë mundësinë të organizohen dhe të konkurrojnë në zgjedhje. Nisma për ndryshimin e Kodit Zgjedhor nuk është e njëjtë me krijimin e një lëvizjeje politike dhe as nuk garanton fitore zgjedhore. Ajo është, megjithatë, një përpjekje për të zgjeruar mundësitë ligjore të pjesëmarrjes qytetare dhe për të krijuar kushte që alternativat e pavarura të mund të paraqiten para zgjedhësve. Pikërisht për këtë arsye, do të ishte me vlerë që protestat qytetare dhe studentore ta shqyrtonin këtë nismë si një mundësi konkrete për ta lidhur mobilizimin publik me një ndryshim të kuadrit zgjedhor. Mbështetja e saj, përmes firmosjes së Fletës Tip dhe përfshirjes në grumbullimin e firmave, është një mënyrë që e kthen kërkesën e qytetarve për më shumë përfaqësim, në një veprim të matshëm.
Nga refuzimi i së vjetrës te ndërtimi i së resë
Një nga rreziqet e lëvizjeve kundër një pushteti të konsoliduar është që identiteti i tyre të mbetet i lidhur vetëm me atë që kundërshtojnë. Por kundërshtimi, sado i gjerë të jetë, nuk përbën vetvetiu një projekt qeverisjeje.Për të fituar besimin e qytetarëve, një lëvizje duhet të tregojë jo vetëm pse qeveria duhet të largohet, por edhe si mund të ndërtohet një mënyrë më e mirë qeverisjeje. Ajo duhet të propozojë kandidatë të besueshëm, të shpjegojë programin e saj dhe të pranojë se, në fund, janë zgjedhësit ata që vendosin.
Fitorja në zgjedhje është një arritje e madhe, por nuk e përfundon procesin e ndryshimit. Ndaj, një lëvizje që synon ndryshimin e klasës politike duhet të jetë e gatshme të kalojë nga protesta te organizimi, nga kërkesat te programi dhe nga mobilizimi te përfaqësimi. Përvoja serbe nuk duhet parë si një recetë të gatshme, por si një shembull se si një lëvizje e nisur jashtë strukturave tradicionale politike mund të ndërtojë një alternativë zgjedhore dhe të fitojë besimin e shumicës së votuesve. Shqipëria ka nevojë për protesta që shprehin pakënaqësinë, por akoma edhe me shume se kjo, Shqiperia ka nevoje për lëvizje që ofrojnë zgjidhje. Lëvizja ka nevojë për qytetarë që kërkojnë llogari nga pushteti, por edhe për qytetarë që marrin përsipër përgjegjësinë për të ndërtuar alternativa politike.Nëse objektivi është ndryshimi i mënyrës së qeverisjes, atëherë zgjedhjet nuk mund të mbeten thjesht një etapë e largët pas protestave. Ato duhet të jenë pjesë e strategjisë së lëvizjes që në fillim e saj.Mësimi më i rëndësishëm nga Serbia është se qytetarët nuk janë të detyruar të zgjedhin vetëm midis pushtetit dhe partive tradicionale të opozitës. Ata mund të ndërtojnë alternativa të reja, nëse kanë organizimin, vendosmërinë, besimin publik dhe mundësinë ligjore për të hyrë në garë. Protesta mund të hapë rrugën. Organizimi mund ta bëjë lëvizjen të qëndrueshme. Por vota është mekanizmi demokratik që mund ta shndërrojë kërkesën për ndryshim në një mandat për të qeverisur. Sfida për vendin tone është që zemërimi qytetar të mos mbetet një energji që shpërndahet pas çdo proteste, por të shndërrohet në një forcë të organizuar, të pavarur dhe të aftë për të konkurruar në zgjedhje. Sepse ndryshimi i vërtetë nuk ndodh vetëm kur qytetarët dalin në rrugë për të thënë se nuk duan më të vjetrën. Ai bëhet i mundur kur ata organizohen për të zgjedhur dhe për të ndërtuar të renë.


