Aktualitet

Studentët rikthehen në auditorë në Tiranë, Korçë e Elbasan, pedagogët u kërkuan të ndërpresin bojkotin! Thirrje për protestë te Politekniku

Studentët janë rikthyer këtë të hënë në auditorë, pas thirrjeve të pedagogëve gjatë fundjavës për të rinisur mësimin. Më herët, në disa fakultete, studentëve u ishin shpërndarë mesazhe se nuk do t’u vendoseshin mungesa nëse bojkotonin mësimin për shkak të protestave.

Këtë të hënë, auditorët në Tiranë janë mbushur sërish me studentë dhe procesi mësimor po zhvillohet normalisht. Mësimi ka rinisur edhe në Fakultetin e Ekonomisë, atë të Historisë dhe Filologjisë, si dhe në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja.

Megjithatë, disa protestues kanë paralajmëruar vijimin e protestës, duke u bërë thirrje të tjerëve të lënë auditorët dhe t’u bashkohen në një tubim të njoftuar për në orën 12:00 te Universiteti Politeknik.

Edhe në rrethe, në dy universitetet ku kishte bojkot të pjesshëm, në Elbasan dhe Korçë, ka rinisur mësimi.

Në Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë, vendimi për t’u rikthyer në mësim u mor të premten nga Këshilli Studentor, me argumentin se situata e protestave ishte qetësuar edhe në kryeqytet.