Opinion

Vangjush Saro: Etiketa false ‘Demokraci’

Demokracia nuk është te milionat e disa pak politikanëve e oligarkëve, që janë zhytur në abuzime e pisllëk dhe kurrkush s’ua vërteton dot. Nuk gjendet te ndërtimet monstruoze, që u vodhën qetësinë e ajrin qytetarëve dhe fëmijëve e të rinjve këndet e lojërave. As te përpjekjet për shuarjen me dhunë të protestave studentore, ndërkohë që u pa rrugëve një polici më e egër se kurrë ndonjëherë më parë. Mbase ca më pak edhe te vetë qytetarët, që Demokracinë e kuptuan dhe e kuptojnë si anarki

Me sa mbaj mend nga leximet, kjo ishte një pyetje që poeti ynë klasik Lasgush Poradeci ia bënte Kadaresë, diku, dikur. Lasgushi ishte dhe mbeti i përhumbur në atë botën e vet. Por pyetja qëndron edhe sot e gjithë ditën: Vërtet, në ç’rend po jetojmë? Thuhet se sistemi që po përpiqemi të aplikojmë, ai që njeh edhe bota e përparuar, quhet Demokraci. Termi i vjetër sa jeta, duket se prej dekadash ka zëvendësuar atë që më parë e quanim Kapitalizëm. Kjo ndodhi për shkak të krijimit të një fasade pjesërisht bindëse: zgjedhje relativisht të lira, mirëqenie e konsiderueshme, krijimi i një shtrese të mesme në jetë normale, liri për shtypin dhe mendimin në përgjithësi, etj. Kaq ishte dhe nuk ishte shumë…

Ç’rend po jeton Shqipëria? Shumë paqartësi për zgjedhjet, për Drejtësinë, për reformat, për… barazinë. Ndërkaq, në krye të pozitës dhe opozitës janë njerëz të ardhur nga Socializmi, asish që po të mos ish përmbysur ai, do të ishin tani në Byronë Politike. Me siguri. Atëherë, duke i mbledhur të dyja argumentet, i bie që nuk kemi shkuar edhe shumë përpara. Të bijtë apo nipërit e anëtarëve të Byrosë, të krerëve të Kuvendit (atij të kohës tjetër) dhe gjithaq disa shërbyes të zellshëm të atyre instancave diktatoriale, këta pra, janë ende sot në… timon të Shqipërisë. Edhe kjo është njëra nga arsyet pse nuk bëjmë përpara.

Më thoni që s’është çudi… Janë të akuzuar 30 e ca individë, zyrtarë, politikanë, biznesmenë – vetëm në ‘grupin’ e madh të Ballukut, zonjës që e trazoi vendin si nuk kish ndodhur asnjëherë më parë. Dhe që, prapë nuk e ndalon askush. Por kjo nuk i pengon të mbajnë prapa hekurave, pa akuza, pa gjyq,  ish-Presidentin e vendit dhe një nga politikanët e parë të Demokracisë, z. Ilir Meta apo edhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj, të cilin me rastin e një postimi (larg e larg) në rrjet, e degdisën tutje, madje e kanë izoluar (!)

Fundja, Shqipëria është, ose përpiqet të bëhet pjesë e një bote që e di si shkojnë punët, por për të qenë brenda, i ka vënë vetes etiketën Demokraci. Tej fasadës dhe etiketave, ka gjithnjë re; globi shfryn si ndonjë avullore e vjetër. P.sh., në kontekstin ekonomik, në mënyrën se si ndahen të mirat materiale, kjo botë e madhe e padrejtë ka kohë që cedon nga fjala dhe rendi a sistemi i quajtur ‘Demokraci’. Shpreh thjesht mendimin tim vetjak, por si rend a sistem, gjëja që po flasim mund të ketë ende njëlloj kuptimi vetëm në disa vende që mund të numërohen me gishtat e dorës. Gjetkë, pak e më pak…

Siç dihet, çdo pranëvënie apo krahasim çalon; por e vlen. Ku ishte Demokracia disa dekada më parë? Te vendet ish-socialiste, që bash ashtu e quanin veten, Demokraci, por shkuan në prag të urisë, ndërkohë që policitë sekrete s’lanë njeri pa torturuar, syrgjynosur e përgjuar? Kapitalizmi e sfidoi Socializmin. Megjithatë, ku gjendet Demokracia sot? Sigurisht, nuk gjendet në faktin që 2 përqind e njerëzve kanë të ardhura sa e gjithë pjesa tjetër që robtohen me punë apo për të gjetur një punë dhe për të pasur një banesë modeste. Nuk është as në mbrojtjen e mjedisit, ku vetëm fjalët dhe vjedhja e fondeve kanë mbetur për ndonjë… dokumentar. Tash disa të fuqishëm po ikin edhe nga marrëveshjet për klimën dhe ndotjet. Zot na mba mendjen!  Demokracia nuk është tek ata mijëra e mijëra të mjerë që flenë nën ura e në tenda apo enden në një mjerim total rrugëve të metropoleve të botës, duke shëmtuar e ndyrë me gjithçka veten dhe qytetet më të ndritshme në ‘Perëndimin e përparuar’. Nuk është gjithashtu në rritjen e çmimeve, sidomos ato të banesave. Kujtoni se çfarë ndodhi në Spanjë, kur një grua të vjetër e të varfër, e nxorën nga shtëpia ku kish jetuar disa dekada, sepse… ishin rritur çmimet dhe ajo s’paguante dot (!)

Ç’rend po jeton Shqipëria? Shumë paqartësi për zgjedhjet, për Drejtësinë, për reformat, për… barazinë. Ndërkaq, në krye të pozitës dhe opozitës janë njerëz të ardhur nga Socializmi, asish që po të mos ish përmbysur ai, do të ishin tani në Byronë Politike. Me siguri. Atëherë, duke i mbledhur të dyja argumentet, i bie që nuk kemi shkuar edhe shumë përpara

Në vështirësi të madhe janë edhe në Shqipëri shtresat e mesme dhe të varfëra. Ekonomisti i njohur S. Xhepa na thotë; “Përqendrimi i pasurisë në duart e një pakice, po shoqërohet me tkurrjen e shtresës së mesme, duke dobësuar bazën sociale që mbështet qëndrueshmërinë e shoqërisë.” Mendoj që është mjaft e qartë ajo që thuhet dhe gjithaq ajo që po ndodh; protestat, ishte fjala. Por ndërkaq, njerëzve u pëlqen demagogjia; mbase më mirë: Statukuoja. Siç u tha edhe më lart, një sistem ku votohet për drejtuesit politikë dhe qeverisjen – gjithsesi më mirë se diktaturat – prapë nuk është garancia më e mirë dhe e fundit për njerëzit. Puna shkon gjer atje, sa edhe në vende tipike të Demokracisë, në Evropë e Amerikë, ngrihen pikëpyetje të frikshme sa i takon etiketës për të cilën po bëjmë fjalë.

Ndonjëherë, pezmi bëhet edhe më i keq. Bota demokratike nuk po fiton asnjë betejë me luftën dhe me mjerimet që kjo e fundit shkakton. Kjo është një lojë fjalësh? Jo, është një fakt. Ukraina. Irani. Gaza. Konflikte të tjera mizore në Afrikë. Njerëzit shuhen si miza. Tjetër argument: Nuk po fitohet asnjë betejë me Mafien; zyrtarë me pushtet blihen dhe ndikojnë që milionat të shkojnë në klane të caktuara; lëvizjet ilegale, trafikimi i qenieve njerëzore dhe i substancave të ndaluara vazhdon.

Ku gjendet Demokracia? Te monstra Epstein, që lejohej të rekrutonte e të përdorte dhjetra vajza të mitura, të cilat i ndante me politikanë e manjatë të tjerë, gjithashtu ‘të dashuruar’ keq me ‘Demokracinë’. Oops! Ku gjetkë gjendet Demokracia? Them se jo te pleqtë e rrjedhur të botës, nga Amerika në Evropë e në Azi; që janë të dashuruar me veten dhe pushtetin; që ç’thonë njëherë, s’e thonë për së dyti; që u merren këmbët teksa ecin zdrënkthi apo ngjiten e zbresin gjithë mundim shkallëve të avionëve… (“Askush mbi 70 vjeç nuk duhet të qëndrojë në këtë zyrë (Presidencë) dhe unë e di këtë.” Ajzenhauer)
Le të kthehemi në Shqipëri. Demokracia nuk është te milionat e disa pak politikanëve e oligarkëve, që janë zhytur në abuzime e pisllëk dhe kurrkush s’ua vërteton dot. Nuk gjendet te ndërtimet monstruoze, që u vodhën qetësinë e ajrin qytetarëve dhe fëmijëve e të rinjve këndet e lojërave. As te përpjekjet për shuarjen me dhunë të protestave studentore, ndërkohë që u pa rrugëve një polici më e egër se kurrë ndonjëherë më parë. Mbase ca më pak edhe te vetë qytetarët, që Demokracinë e kuptuan dhe e kuptojnë si anarki… (“Është një mundim për mua të rrëfej, është një mundim që të hesht, sidoqoftë është një mjerim.” Eskili)

Çdo temë e do një përfundim dhe një pikë. Për fat të keq, nuk gjendet gjithashtu askund – në histori, në botën e sotme – ndonjë përvojë më e mirë, më e pranueshme. Nuk kemi parë ende më shumë e më mirë se ajo që bota perëndimore e quan Demokraci. Mbetet të jetë (u tha edhe më lart) një rend relativisht më i drejtë se sisteme a rende të tjerë, të mëparshëm; për shkak të njëlloj qendrueshmërie në nivelet e jetës, si dhe në vlerësimin e të drejtave të njeriut; (nuk thashë në respektimin e të drejtave të njeriut).

Protestat që përfshinë këto kohë Evropën, edhe Ballkanin, i vënë një pikëpyetje të madhe etiketës false Demokraci. Së paku, kërkojnë shumë më shumë prej saj. Në këtë situatë, kur megjithatë edhe këtij rendi po i dridhen këmbët, i ra fati edhe Shqipërisë të mbajë etiketën në fjalë: Demokraci. Natyrisht, u nënvizua edhe më lart, kjo formë qeverisjeje nuk është e thënë të jetë njësoj kudo; në shumicën e vendeve me tranzicion të zgjatur, ‘etiketa’ e shkretë është një gjë kaq e brishtë dhe që nuk të bind. (“Shpesh mendoja se paqja kishte ardhur/ kur ajo ishte larg…” E. Dikinson)

Po e përsërisim pyetjen përvëluese: në ç’rend jeton Shqipëria? Disa herë i kemi ngjitur atë etiketën Tranzicion, që e përmenda më lart. Me shpresën se ky term do të na hiqej qafe dikur. Kujt i thua! Këto kohë, e kemi humbur busullën fare. Gjithsesi, e shtyjmë, në një gjë hibride – si gjysmëdemokraci, si autokraci – që së fundi, u baltos edhe më shumë me disa ndëshkime e masa (asfare demokratike) të qeverisë dhe kreut të saj, z. Rama, tash mjaft i lodhur dhe me kredite pjesërisht të humbura. Dhe nuk më duket se jemi gati dhe të aftë për ta ndryshuar këtë situatë, edhe pse shenjat ishin dhe janë; për fat të keq, ende vetëm në rrugë.