Sport

Tragjedia në futbollin spanjoll/ Vdekja e Jesús de Miguel trondit La Ligën, në pikëpyetje të gjitha ndeshjet e fundjavës

Një ngjarje tragjike ka tronditur futbollin spanjoll. Sulmuesi i CD Tenerife, Jesús de Miguel, është ndarë nga jeta në moshën 30-vjeçare, pasi pësoi një arrest kardiorespirator pas një përplasjeje të rëndë gjatë ndeshjes kundër Andorrës.

Incidenti ndodhi në minutat shtesë të takimit, kur sulmuesi u përplas me portierin kundërshtar, Jesús Owono. Futbollisti mori menjëherë ndihmën mjekësore në fushë dhe më pas u transportua me urgjencë në spital, por fatkeqësisht nuk arriti t’i mbijetonte gjendjes së rëndë shëndetësore.

Lajmi i vdekjes së tij ka shkaktuar një tronditje të madhe në futbollin spanjoll. Në shenjë respekti, Federata Spanjolle e Futbollit (RFEF) ka vendosur të pezullojë ndeshjet e Kupës së Mbretit dhe Kupës së Mbretëreshës të planifikuara gjatë kësaj jave.

Ndërkohë, Shoqata e Futbollistëve Spanjollë (AFE) i është drejtuar zyrtarisht RFEF-së, La Ligës dhe UEFA-s me kërkesën për pezullimin e të gjitha ndeshjeve në Spanjë nga data 3 deri më 9 nëntor.

Kërkesa përfshin edhe javën e 12-të të Primera División dhe javën e 13-të të Segunda División. AFE kërkon që futbolli të ndalet në shenjë respekti për humbjen e një prej anëtarëve të familjes së tij.

La Liga po shqyrton mundësinë e shtyrjes së të gjithë ndeshjeve të fundjavës, por deri më tani nuk ka një vendim përfundimtar. Sipas raportimeve të mediave spanjolle, vendimi është më i ndërlikuar për Primera División për shkak të kalendarit të ngjeshur të garave.

Ndërkohë, është konfirmuar shtyrja e ndeshjes Granada-Tenerife, e cila ishte programuar të zhvillohej të shtunën. Klubi i Tenerife ka kërkuar kohë për të përballuar dhimbjen dhe për t’i dhënë lamtumirën shokut të tyre të skuadrës.

Tashmë pritet vendimi i La Ligës, i cili do të përcaktojë nëse futbolli spanjoll do të ndalet këtë fundjavë në të dyja kategoritë kryesore.

Një tragjedi që ka lënë në zi futbollin spanjoll dhe që rikujton se përtej rivalitetit dhe rezultateve, futbolli është mbi të gjitha një familje.