Aktualitet

Tensione në protestën para Ministrisë së Arsimit, studentët krijojnë kordon për të mos lejuar afrimin e PD-së: “Rama në burg, Berisha në burg”

Momente tensioni janë regjistruar gjatë protestës së studentëve para Ministrisë së Arsimit në Tiranë, ku të rinjtë kanë krijuar një kordon për të mos lejuar afrimin e përfaqësuesve të Partisë Demokratike.

Demokratët, të cilët ishin nisur drejt Ministrisë së Arsimit me synimin për t’iu bashkuar protestës, janë përballur me kundërshtimin e studentëve.

Për të shprehur qëndrimin e tyre, të rinjtë kanë vendosur një banderolë me mesazhin: “Rama n’burg, Berisha n’burg”, duke bërë të qartë se kundërshtimi i tyre nuk drejtohet vetëm ndaj mazhorancës, por edhe ndaj opozitës.

Studentët kanë kërkuar që protesta e tyre të vijojë pa u përfshirë nga forcat politike, duke ruajtur karakterin e saj të pavarur.

Ndërkohë, afrimi i demokratëve dhe reagimi i studentëve kanë krijuar një situatë të tensionuar në zonën përpara Ministrisë së Arsimit, ku janë të pranishme edhe forca të shumta policie.

Protesta vjen pas tensioneve të javës së kaluar, ndërsa zhvillimet e fundit tregojnë se studentët kërkojnë të mbajnë distancë nga partitë politike dhe të përcjellin mesazhet e tyre pa përfshirje partiake.