Ekonomi

4000 kredi për të rinjtë dhe familjet e reja, interes zero dhe mundësi për të blerë shtëpi pa parapagim

Qeveria shqiptare ka prezantuar një paketë të re masash për strehimin, që synon të lehtësojë blerjen e banesave për të rinjtë, çiftet e reja, studentët dhe profesionistët. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi në Komisionin për Çështjet Ligjore ndryshimet e propozuara në ligjin për strehimin social.

Në qendër të paketës janë 4000 financime të reja për blerjen e banesave, të ndara në dy kategori. Dy mijë kredi parashikohen me interes zero për apartamente me vlerë deri në 60 mijë euro, ndërsa dy mijë të tjera me interes të lehtësuar prej 3%.

Një nga risitë kryesore është krijimi i mekanizmave të garancisë për financimin e parapagimit fillestar. Kjo do t’u japë mundësi edhe qytetarëve që nuk kanë kursime të mjaftueshme për të përballuar pagesën fillestare të banesës.

Përveç kredive, paketa parashikon edhe subvencionimin e qirasë për studentët dhe profesionistët, si dhe një program të ri të qirasë me të drejtë blerjeje.

Ministrja Ibrahimaj bëri të ditur se synimi është zgjerimi i politikave të strehimit përtej kategorive tradicionale në nevojë, duke përfshirë edhe shtresën e mesme, profesionistët e rinj dhe familjet që kanë vështirësi për të përballuar çmimet e larta të banesave.

Ndryshimet ligjore janë ende në proces parlamentar dhe kriteret përfundimtare të aplikimit, përfituesit dhe procedurat do të përcaktohen në vijimësi.