Aktualitet

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka regjistruar shifra rekord të udhëtarëve, me rreth 300 mijë pasagjerë vetëm në 10 ditët e para të muajit nëntor

Kreu i qeverisë theksoi se, pavarësisht fluksit të lartë të udhëtarëve, aeroporti po vijon punën për zgjerimin dhe modernizimin e infrastrukturës, me qëllim përballimin e një numri edhe më të madh pasagjerësh në të ardhmen.

Sipas Ramës, punimet po zhvillohen gjatë orëve të natës, në mënyrë që të mos pengohet aktiviteti i përditshëm dhe lëvizja e udhëtarëve.

Ndërhyrjet për zgjerimin e aeroportit pritet të përfundojnë më 27 nëntor, në kohë për të përballuar fluksin e pritshëm të udhëtarëve gjatë festave të nëntorit.

Ndërkohë, sipas të dhënave të publikuara nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, vetëm më 1 nëntor janë regjistruar 38 670 pasagjerë në nisje dhe mbërritje, përmes 226 fluturimeve.

Për modernizimin e aeroportit është parashikuar një investim prej 40 milionë eurosh. Në punime janë angazhuar rreth 380 profesionistë, mes tyre 50 inxhinierë, si dhe dhjetëra mjete të rënda.

Rritja e vazhdueshme e numrit të pasagjerëve e bën zgjerimin e kapaciteteve një ndër prioritetet kryesore për Aeroportin e Tiranës