Opinion

Baxhul Merkaj: Si e solli regjisori Fatos Haxhiraj, “Darkën e gabuar” të Kadaresë në Teatrin Kombëtar me Roshin, Pitarkën e Mimën

Si e solli regjisori dhe aktori, Fatos Haxhiraj, “Darkën e gabuar” të Kadaresë në skenën e Teatrit Kombëtar

 Haxhiraj: Ishte një përgjegjësi e madhe, sepse Kadareja kërkonte shumë nga vetja dhe nuk kënaqej kurrë.

Regjisori Fatos Haxhiraj dhe aktorët e mëdhenj Kadri Roshi, Sulejman Pitarka dhe Prokop Mima.

Baxhul Merkaj

Kisha vite që s’e kisha takuar, ndoshta 20 apo 30 vjet! Por bëmat ia dija mirë. Ai kishte lënë gjurmë në skenën e Teatrit Kombëtar si artist duke mishëruar figura mjaft të realizuara interpretative, por duke inskenuar mjaft drama e komedi shqiptare e të huaja si regjisori i tyre. Takohesh me të e të befason çiltërsia, thjeshtësia e tejskajshme, por që mbartet në të një mençuri popullore dhe një intelekt i mirëfilltë në profesionin e aktorit e regjisorit. Sapo doli nga shtypi një gazetë ku kisha shkruar “Fatos Haxhiraj sjell “Darkën e gabuar” të Kadaresë në skenën e Teatrit Kombëtar. Më takon atë mëngjes pranvere, përkulet e më thotë: “të faleminderit!” I përgjigjem: “të faleminderit duhet t’i thuash djersës së ballit tënd! Ishte një përgjegjësi e madhe, sepse Kadareja kërkon shumë nga vetja dhe nuk kënaqet kurrë, kërkon më shumë- më tha.Po, i dashur e them dhe e mbroj se ti i ngjason regjisorit të madh Piro Mani. Po… prure një “darkë të gabuar” të Kadaresë me mjaft vërtetësi, besueshmëri. Inskenove dhe krijove tipa e karaktere mjaft të realizuar. U prite me duartrokitje dhe ovacione nga artdashësit shqiptarë. Për disa ditë rresht salla plotë e përplot. Ne e dimë mirë se qytetari ynë e do artin teatror, por ai është dhe “qibar i madh”, ai të nderon e respekton kur luan dhe interpreton bukur. E pra, të gjitha këto ti i kishe në shfaqjen që sapo pash!…

Ky dialog më bëri të gjurmoj e të kthehem në ndjesitë e jetës së tij artistike teatrore e filmike. Lindi në 3 Janar 1943 në Tiranë. Pasi kreu shkollën e mesme artistike “Jordan Misja”, vazhdoi studimet e larta ku u diplomua për aktor në Akademinë e Arteve të Bukura. Nga biseda me të shkëpusim: “Jam me origjinë nga Delvina. Një herë s’kisha shkuar në shkollë, isha nxënës i vogël atëherë. Erdhi babai dhe hapi derën e klasës. Djersë të ftohta më shkuan në ballë. Ai iku pa bërë zë. Ky ishte mësimi i parë për mua. Po. Mësoja dhe punoja gjatë verës në fermë në bujqësi që të siguronim pak të ardhura…” E njerëzit që e duan jetën duhet ta tendosin trurin e trupin në punë se vetëm kështu kualifikohen për të jetuar më tej.

Bisedat këtë pranverë

Bisedat me të këtë pranverë kanë qenë të pafundme deri sa kishte raste që e bëja rrugën në këmbë mbasi urbani e kishte mbyllur orarin e vet. Biografia artistike e Fatosit është e tejmbushur. Ai filloi si aktor në Teatrin Kombëtar në shtator 1967. Por punoi edhe si pedagog i jashtëm në Akademinë e Arteve. Ndonëse u diplomua për aktor, ai kishte prirje regjisori, ndaj në vitin 1981 kreu studimet për regjisor dhe u emërua regjisor në Teatrin Kombëtar Ja si është shprehur ai: “Ta ndërtosh jetën tënde mbi regjisurën, e para e punës do të thotë se duhet të jesh shumë i vëmendshëm në kërkesat që kërkon një spektakël. Një aktor shikon vetëm rolin e tij. Ai mund ta shikojë rolin e tij, por duhet të shikoj edhe veten e tij se si qëndron në një dramë. Regjisori duhet të shikojë të gjithë komponentët që i ka një spektakël. Duhet të shikojë se si qëndrojnë aktorët, kush aktor mund të bëjë këtë rol, çfarë muzike do të hyjë këtu, të ndiej frymëmarrjen, të ndiej ritmin e shfaqjes, sidomos kur je në rolin e regjisorit duke e vënë shfaqjen. Jeta e një regjisori është e lidhur me spektaklin, me aktorët, me personazhet. Të gjithë regjisorët përshkohen nga një dhimbje artistike që nga momenti që marrin dramën e deri sa e shfaqin. Por edhe kur e shfaqin, ai duhet të jetë si kontrollor, të ndihmojë edhe aktorët që t’i qëndrojnë interpretimit të tyre. Ndonjëherë duket edhe sikur është baba, si të them, babai i të gjithë këtyre aktorëve. Për mendimin tim, këtu është edhe çelësi dhe vështirësia e regjisorit. Nëse je një baba i mirë, mund të dalë edhe familja e mirë, që në këtë rast janë trupa e aktorëve.” Hap siparin e portreteve të fiksuara në celuloid dhe ndihet ndjeshmëria e aktorit shqiptar te vetullat, sytë, nofullat e dala, vështrimi tej depërtues tek “Mbas dy vjetësh” 1969, “Shënomëni edhe mua” 1976 me partnerët Sulejman Pitarka e Andon Qesari, “Epoka para gjyqit” 1980, “Doktori pacient” 1978 me Kadri Roshin e Pavlina Manin, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” 1972 me partnerët Pjetër Gjoka e Sulejman Pitarka, “Shoqja nga fshati” 1980, me aktorin e mirënjohur Robert Ndrenika.

Mbi 40 role në Teatrin Kombëtar dhe përherë i papërsëritshëm.

Me gjallëri e veprim skenik që befasonte spektatorin shqiptar. Në pjesët “Fytyra e dytë”, “Njeriu që pa vdekjen me sy”, “Cuca e maleve”, “Arturo Ui”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Diell mbi kastër, “I pazëvendësueshmi”, “Orët e Kremlinit”, “Prefekti”, “Familja e peshkatarit”, “Viti 1961” etj. Fatos Haxhiraj, mjeshtër i dashurisë e shpirtit njerëzor, mjeshtër i regjisë sonë kombëtare. Derdh profetësinë e tij në skenë e në jetë. Inskenoi drama ku ishin interpretues aktorët e mëdhenj Kadri Roshi e Sulejman Pitarka apo Prokop Mima. “Thuana ndonjë gjë o komandant?” – i fliste Kadri Roshi pas provave. Po komandanti Haxhiraj arrinte të punonte si regjisor me këta artistë që bënë epokë në artin teatror. Dinte t’i ndërtonte mirë marrëdhëniet me ta e ishte ky çelësi i rezultatit si regjisor pa mohuar disiplinën e rreptë skenike që kishte përfituar këtë eksperiencë nga korifenjtë e regjisë, e veçanërisht nga i madhi Piro Mani, ku ka bashkëpunuar në mjaft spektakle me të. Ai u shqua në inskenimin e dramës “Kush e solli Doruntinën”, si vënie në skenë në nivel të lartë ideo- artistik të kësaj shfaqje. Ishte ndër të parët që ngjalli emocione tepër të veçanta tek artdashësit. Me interes u prit shfaqja “Vdekja e një komisionari” më 1986 ku interpretonin aktorët Ndriçim Xhepa, Elida Janushi, Drita Haxhiraj, Robert Ndrenika, Bujar Lako. Ka inskenuar si regjisor mbi 20 shfaqje të realizuara me mjeshtri e profesionalistet midis të cilave “Njerëz të afërt”, “Shtëpia me dy porta”, “Besa e madhe”, “Karavidhet”, “Gryka e nëmur”, “Pas provimit të fundit”, “Prometeu”, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, “Martesa e avokatit”, “Pas vdekjes”, “Zbutja e kryeneçes”, si dhe shfaqjen   “Darka e gabuar” sipas librit të Ismail  Kadaresë, në 2010. Artisti ka pasur sukseset e nostalgjitë e tij pas çdo shfaqjeje. Midis të tjerash, nga bashkëbisedimi që kam zhvilluar me të është shprehur “Kur doja të mbroja diplomën për regjisor kam vënë në skenë një pjesë të titulluar “Karavidhet”. Në këtë pjesë pata fatin e madh sepse luajtën aktorët më të mirë të teatrit si: Violeta Manushi, Prokop Mima, Marika Kallamata etj. Ishte kjo periudhë e vështirë për mua, sepse mendo tani të jesh regjisor i pedagogëve të tu. Ndërkohë ishte kënaqësia më e madhe, sepse ajo shfaqje doli jashtëzakonisht e bukur me ndihmën e aktorëve të mëdhenj, por edhe unë mora vlerësimin maksimal. Them se atje ku është vështirësia më e madhe është dhe suksesi, edhe bukuria.”

Ai tashmë pas 20 vitesh eksperience pune në Itali ku jeton, kthehet tek streha e tij. “Kur shkela teatrin” pas 20 vitesh, u emocionova tmerrësisht, sidomos kur pash fotografitë e atyre aktorëve që nuk janë më. Këtë shfaqje që po inskenoj ia dedikoj familjes time, por edhe atyre aktorëve që nuk janë më. Kam nostalgji për gjithçka që kam kaluar në teatër. Si familje artistësh Fatos e Drita Haxhiraj ndriçojnë si meteor të pashuar në skenë, në rrugë në takimin me shokët, miqtë artistë të cilët mblidhen çdo mbasdite aty tek kafja pranë Teatrit Kombëtar.  Artisti ka përse krenohet për një familje solide “Çdo gjë që kam arritur ia dedikoj bashkëshortes sime, Drita Haxhiraj, edhe pse ajo ka qejf t’i them Drita Bardhi. Ia dedikoj asaj ,sepse sa herë jam ndodhur në vështirësi më ka dhënë kurajë duke bërë që unë të reflektoja dhe të dalë nga situata të ndryshme. Aty ku ka më shumë vështirësi, kalohet më mirë dhe dukesh më shumë.”  “Mjeshtri i madh i punës”, “Artisti i Merituar”  Ndriçim Xhepa, pas “Darkës së Gabuar” ku interpretonte rolin kryesor, është shprehur: “Është kënaqësi të punosh me një regjisor si Fatos Haxhiraj, i cili pavarësisht se ka 20 vjet shkëputje nga skena e këtij teatri, ka në arsenalin e punës së tij mbi 20 premiera të punuara nga viti 1975-1990. E unë me të mbaj kujtime me të vërtetë të mira, sepse kam punuar me të në role kryesore nga viti 1982-1990, i cili ka shfaqur që në 2-3-vjeçarin tim si aktor një simpati ndaj cilësive të mia aktoreske. Në “Darkën e gabuar” ky respekt konkretizoi një rritje, por edhe ndoshta në të ardhmen një bashkëpunim tjetër vërtet simpatik, por ndoshta një komedi, sepse Fatosi si regjisor ka vërtetë cilësi të veçanta dhe në trajtimin e komedive që ka punuar dikur shumë në Teatrin Kombëtar’’. Ndonëse nga viti 1991 bëri specializim në Itali për regjisor dhe mbeti atje, por ishte i pranishëm në filma dhe shfaqje ku meritoi respekt edhe nga artistë e regjisor të famshëm italianë.