Sociale

“Smart City” në Shqipëri, një rrjet kamerash mbi një shtet të hakeruar!

Nga shkollat te rrugët, projekti zgjerohet me inteligjencë artificiale, ndërsa sistemet ekzistuese kanë dështuar të mbrojnë të dhënat bazë. Kompani ka ngritur shqetësime në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për shkak të lidhjeve të saj me kompani kineze.

Shqipëria ka nisur zbatimin e projektit “Smart City”, duke e prezantuar si një ndërhyrje për sigurinë publike dhe menaxhimin e trafikut. Ministria e Brendshme ka përzgjedhur 20 shkolla për fazën e parë. Më pas, rrjeti do të shtrihet në rrugë, sheshe dhe hapësira të tjera publike, i lidhur me sisteme të inteligjencës artificiale.Qeveria e trajton si zhvillim teknologjik. Por projekti ndërtohet mbi një realitet të dokumentuar. Sistemet shtetërore shqiptare janë depërtuar në mënyrë të përsëritur nga sulme kibernetike. Platforma e-Albania, databaza publike dhe infrastruktura digjitale janë ekspozuar, duke nxjerrë të dhëna sensitive të qytetarëve.Në këtë situatë, çështja nuk lidhet me teknologjinë, por me mbrojtjen. Një rrjet kamerash i lidhur në kohë reale krijon një arkiv të vazhdueshëm mbi lëvizjet dhe sjelljen e qytetarëve. Nëse ky sistem komprometohet, kemi një rrjedhje të drejtpërdrejtë informacioni në shkallë kombëtare.Debati nuk është teorik. Në Kosovë, projekti i monitorimit me kamera ka ngritur shqetësime për ndërhyrje nga jashtë, përfshirë Serbinë. Ekspertë të sigurisë kanë paralajmëruar se sistemet e centralizuara të vëzhgimit janë objektiva për shërbimet inteligjente.Rasti i Iranit e vendos rrezikun në praktikë. Para një operacioni të synuar, Izraeli depërtoi në sistemin e kamerave të trafikut në Teheran. Ngjarja tregon se çdo sistem i lidhur në rrjet mund të thyhet.Në Shqipëri, ku sulmet ndaj sistemeve publike janë të dokumentuara, hyrja në një rrjet të tillë nuk paraqet pengesë të lartë. Zgjerimi i mbikëqyrjes digjitale rrit sipërfaqen e ekspozimit.

Historia e projektit

Projekti “Smart City” u formalizua në prill 2024, kur ministri i Brendshëm Taulant Balla nënshkroi memorandum mirëkuptimi me kompaninë Presight AI, pjesë e grupit G42 me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Marrëveshja është klasifikuar si sekrete dhe parashikon instalimin e një rrjeti kamerash dhe radarësh në qytetet kryesore.Në shkurt 2025, gjatë vizitës së presidentit të Emirateve në Tiranë, kryeministri Edi Rama nënshkroi letër angazhimi që e futi projektin në listën e investimeve me rëndësi kombëtare.Kostoja fillestare prej 60 milionë dollarësh u rrit në rreth 140 milionë dollarë me TVSH. Financimi parashikohet përmes një huaje nga Fondi për Zhvillim i Abu Dhabit.Projekti përfshin 2 239 kamera ANPR, 2 602 kamera PTZ, 3 816 kamera trupore për policinë, 100 radarë inteligjentë dhe 100 sensorë zhurme për trafikun. Buxheti i projektit tregon se 31 milionë dollarë shkojnë për licenca softuerike, 62.4 milionë për pajisje dhe infrastrukturë, 8 milionë për shërbime profesionale dhe 17.1 milionë për mirëmbajtje katërvjeçare.Në dhjetor 2025, Presight AI regjistroi degën në Shqipëri me objekt të vetëm zbatimin e kontratës.Projekti ka nisur. Kapaciteti për ta mbrojtur mbetet i paprovuar.

Lidhjet kineze
Implementimi i projektit po bëhet nga kompania “Presight AI”, pjesë e grupit G42, me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe.Sipas një investigimi të BIRN, kjo kompani ka ngritur shqetësime në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për shkak të lidhjeve të saj me kompani kineze.